Ankesat për lotarinë, Ministria e Financave: Gabimi në sistem nga Posta

Ministria e Financave do të verifikojë deri më 25 janar të gjithë fituesit e çmimeve të vogla të përzgjidhur në lotarinë e kuponit tatimor. Burime zyrtare nga ky dikaster bëjnë të ditur se ka pasur ankesa të shumta nga qytetarët dhe se po verifikohet çdo rast. Sipas Ministrisë, pasaktësitë kanë ndodhur nga hedhja gabim e të dhënave në sistem nga Posta Shqiptare.

Deri më datë 25 janar, Ministria e Financave do të bëjë verifikimin e të gjitha ankesave që kanë bërë qytetarët lidhur me lotarinë e kuponit tatimor të zhvilluar më datë 15 janar.

Burime zyrtare nga ky dikaster bëjnë të ditur se ankimime ka pasur për ndarjen e çmimeve në kategoritë 3 dhe 4, që u korrespondojnë çmimeve të vogla.

Një Komision i Posaçëm po bën verifikimin e 500 zarfave të fituesve me çmime të vogla, pasi për 11 fituesit e çmimeve të mëdha nuk ka pasur kontestime dhe sipas Ministrisë së Financave, rezultatet janë çertifikuar.

Zyrtarët e Ministrisë sqarojnë se nëse gjatë verifikimeve, një fitues rezulton se ka pasaktësi, çmimi do të anulohet për këtë person dhe do t’i kalojë korresponduesit sipas listës së renditur, i cili gjithashtu do të shpallet vetëm pas kryerjes së verifikimit.

Sipas Ministrisë së Financave, pasaktësitë kanë ndodhur nga hedhja gabim në sistem e të dhënave nga punonjësit e Postës Shqiptare.

Ministria e Financave shpjegon se 11 fituesit e çmimeve të mëdha janë çertifikuar një ditë përpara zhvillimit të shorteut të çmimeve të vogla, pasi u kontrolluan 600 zarfa për të përzgjedhur shuma me të mëdha.

Sipas tyre, kjo është edhe arsyeja që kjo pjesë e lotarisë u bë me regjistrim dhe jo live. Ndërsa hedhja e shorteut u bë live.

Ministria e Financave deklaron se lotaria e kuponit tatiomor do të zhvillohet sërish, pasi qeveria të ketë nxjerrë edhe vendimin përkatës

SHKARKO APP