“Kërcënohet me jetë Lulzim Basha”, reagon Presidenti i Republikës Bujar Nishani
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një ekspluzive për emisionin “Arena” në Ora News, i pyetur për një kërcënim ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha deklaron se ka shumë aktorë që duan destabilitetin e Shqipërisë.
Hila: Rritja e tensionit ka bërë që zt.Basha t’i rriten truprojat. Është e vërtetë që shefit të opozitës përveç presioneve institucionale ka edhe presione nga bota e krimit të organizuar? Keni informacion?
Nishani: Siguria e aktorëve kryesor politik sidomos në situata shumë të tensionuara politike që mund të eskalojnë në tensione sociale, është një element shumë serioz. E dyta, asnjëherë nuk duhet të neglizhojmë faktin që nuk kemi vetëm miq, por ka edhe mjaft aktor të cilët punojnë dhe synojnë dhe investohen për të destabilizuar Shqipërinë, për të destabilizuar rajonin.
Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi institucione për të parandaluar mundësinë e këtyre tentativave dhe unë mund t’ju garantoj së pari këtë. Shqipëria i ka të gjitha institucionet, të cilat i kanë kapacitetet për të parandaluar çdo tentativë të destabilitetit të brendshëm që mund të vijnë nga aktorë të jashtëm. Duhet të mos neglizhojmë dhe të mos mendojmë që nuk ekzistojnë tentativa të tilla. Fakti i sigurisë të liderit të opozitës; mund t’ju them vetëm këtë (sepse nuk mund të hyj sot në detaje sepse është çështje shumë e ndjeshme), tashmë është duke u konsideruar dhe unë besoj do të konsiderohet me seriozitet nga agjencitë kryesore ligjzbatuese në vend