Ka ardhur koha që Skënderbeun t’ua lëmë historianëve
Nga Çapajev Gjokutaj
Nëna e Skënderbeut ka qenë serbe. Këtë e thotë Mustafa Nano.
Nuk është se ka bërë kërkime në arkiva. As ka shoshitur gjithë burimet dhe autorët që flasin për Vojsavën, për gjenealogjinë e Kastriotëve, apo për zakonet që rregullonin martesat e princërve arbër.
Si të gjithë ne që s’jemi të atij zanati, dmth historianë, edhe Nano ka lexuar ca pak libra për Skënderbenë. Kjo duket se është njëra nga arsyet pse kuturis e thotë pa mëdyshje se Vojsava është serbe.
Këtë pandehmë, të thënë e të rithënë në shekuj, nuk e artikulon në ndonjë studim shkencor, as në ndonjë kumtesë aktivitetesh akademike. E ka thënë në mes të vapës, buzë detit, në nje bisedë me studentë në Vlorë.
Këto e të tjera rrethana nuk i ndalin mediat që që të bëjnë lajm e të japin berihajn: Mustafa Nano thotë se nëna e heroit tonë kombëtar qenka serbe!
Dhe nuk rezulton lajm dosido. Kikohet me dendurinë e të shtënave të kallashit dhe jehon si kushtrim për hordhi komentuesish anonimë.
Këta atdhedashës kalibri dhe shqiptarë namusqarë turren në sulm. Janë armatosur jo me shpata, as me kallashë, po me një shqipe mjerane që shkëndijon nga të sharat me libër shtëpie.
Po le t’i lëmë mënjanë qesënditë. Mbase ka ardhur koha që Skënderbeun t’ua lëmë historianëve. E kam fjalën për Skënderbeun real, atë të shekullit XV.
Sa i takon Skënderbeut tonë, asaj figurës zulmëmadhe që ka krijuar imagjinata e shqiptarëve, duke nisur sidomos nga shek. XIX e deri më sot, s’ka pse merakosemi. Pa le më të trembemi e të nervozohemi.
Ka qenë dhe do të jetë përherë në mendjet dhe zemrat tona. Si një gurrë ujëplotë do vazhdojë të gjenerojë ligjërime dhe energji për të gjitha kauzat.
Do nxisë shumicën e shqiptarëve të ndihen një fis e një farë. Do kontribuojë në zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, mbetur në mes të rrugës.
Do ulet më poshtë e do ndihmojë të dobëtit e të nëpërkëmburit të ndihen mirë, se janë pasardhës të tij.
Do ngjitet lart e do nxisë të diturit të flasin për mistifikime dhe dekonstruktime ala Derrida, paçka se nga ky i fundit s’kanë lexuar veçse ndonjë citat aty-këtu.
Do u ndihë dhe mediave mediokre të bëjnë lajme në periudha vape e thatësire.