Home Aktualitet Aktualiteti i...

Aktualiteti i marrëdhënieve të Shqipërisë dhe SHBA-ve!

11
0

Së pari, duhet të nënvizojmë, se Shqipërisë nuk i rrezikohet sovraniteti nga të huajt, por Shqipëria ka një sovranitet të dobët ose, thuajse, inekzistent. Ky dobësim i sovranitetit ka ardhur si pasojë e varfërisë, progresit të vogël të Shqipërisë në këto 30 vite e po ashtu si pasojë e korrupsionit galopant, përdorimit të pushtetit për interesa ekskluzive personale. Po, pse nuk kemi sovranitet, ose ku shihet sovranitet i dobët i Shqipërisë.
Së pari, Shqipëria ka shumë pak prestigj në rajon e hiç fare në Europë. Kjo, si pasojë, se Shqipëria është e varfër. Ne, edhe për të shuar zjarrin, për të përballuar emergjencat syte i kemi nga të tjerët!
Së dyti, gjatë këtyre 30 vjet kemi pasur një politikë për t’u varur nga të tjerët. Endrra më e madhe e jona ka qenë të bëhemi më shumë se sa miq me SHBA-të dhe tashmë besoj se ja kemi arritur kësaj. Shqipëria, shyqyr që ka marrëdhënie të tilla me SHBA-të dhe po të doje të nderroje mendje nuk ka një plan të dytë, apo një opsion të dytë. Unë, jam pro amerikan dhe këtë nuk e luan topi, por mendoni sikur tani të ndërrojmë mendjen për të riforcuar sovranitetin dhe të shikojmë sytë nga të tjerët dhe jo nga SHBA-të?! Kush mund të jenë të tjerët? Vendin e SHBA-ve nuk e zëvendëson askush, por, le të bëjmë hipotezë, se kemi mundësi të tjera reale të barabarta me SHBA-të. Kush mund të jenë? Ndoshta për nga madhësia mund të jenë Rusia dhe Kina. Të dy keto vende i kemi provuar dhe po ashtu gjeopolitika e tyre në rajon është në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.
Së treti, dashuria e nostalgjia për kultin e individit nuk mund të vendoset në një peshore me interesat që ka Shqipëria dhe shqiptarët në marrëdhëniet ekskluzive me SHBA-të.
Nëse ne duhet të zgjedhim mes një mbreti dhe SHBA, ne duhet të zgjedhim padyshim të dytë. Ik një mbret e vjen një tjetër, ndersa SHBA mbeten të pazëvendësueshme!
Real-politika është baza e marrëdhënieve politike e diplomatike mes vendeve dhe amerikanët shquhen për real-politike. Lexova me vëmendje artikullin e ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, për marrëdhëniet dypalëshe dhe për sfidat e Shqipërisë. Është hera e parë që, një diplomat në detyrë, bën një analizë të gjatë, e bën publike e vendos publikisht firmën e saj. Në artikullin e Ambasadores pamë një dashuri të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe një përkushtim të rëndësishëm të saj dhe të vendit që ajo përfaqëson.
Për fat të keq, kam lexuar keto ditë edhe qëndrime jo të hijshme ndaj saj personalisht edhe pse jemi te sigurt, se ambasadorja i mirëkupton më mirë se të gjithë këto reagime, sepse vjen nga vendi më demokratik në botë, ku bazë e zhvillimit është mendimi ndryshe. Megjithatë, disa kanë tentuar edhe në ofendime personale e këto janë të denueshme ne planin moral dhe qytetar.
Disa, po duan të aludojnë, se ajo po i bën deklaratat dhe qëndrimet me mendjen e saj! Po si qëndron e vërteta?! Në planin personal ajo është një diplomate karriere e një vendi, ku suksesi dhe dështimi janë vetëm me kriteret e meritokracisë. Ndërsa, në planin diplomatik ajo është amabsadorja e SHBA-ve dhe deklaratat apo qendrimet e saj janë edhe deklarata e qëndrime të Washingtonit zyrtarë.
Së katërti, pse Amerika ka kaq shumë vëmendje e përkushtim ndaj Shqipërisë? Sepse, shqiptarët janë populli me pro amerikanët në botë. Dashuria e shqiptarëve për SHBA-të është pa kushte dhe kjo për shkak se historitë e dy popujve janë të ngjashme, si dhe për faktin se qëndrimet e SHBA-ve, që nga Wilson, kanë qenë pro Shqipërisë e kjo kulmoi me pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, gjeo-politika në rajon po rikthehet në kohën e Luftës së Ftohtë, Rusia dëshiron të rikthehet në Ballkan përmes Serbisë e po ashtu këtë herë kemi edhe nje rizgjim të Turqisë. Në këto rrethana, SHBA kanë rritur praninë ushtarake në Shqipëri dhe duan ta rrisin akoma edhe më shumë në të ardhmen. SHBA kanë 30 vjet që investojnë para dhe kohë në Shqipëri dhe nuk mund të tolerojnë kapricio personale të disa liderve, për të mos pasur sukses.
Linja politike e SHBA, në Shqipëri, është në të njëjtin dimension me linjën e interesit tonë kombëtar.
Prandaj, kush është kundër SHBA, në keto momente, ose është kundër interesave kombëtare, ose është në nje dimension të marrëzisë personale.

Alban DACI

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit