Home Kultura Arkivi i Sull...

Arkivi i Sulltan Abdylhamitit/ Zbulohet koleksioni i Marubit në Stamboll, Bedeni: Stoli magjepsëse, fotografi të shekullit të 19-të

0
0

Në arkivin e Sulltan Abdylhamitit të II në Stamboll, një prej më të rëndësishmëve në botë për fotografinë, është zbuluar një koleksion i fotografit Pietro Marubi.

Lucjan Bedeni, Drejtor i Muzeut Kombëtar “Marubi” ka rënë në gjurmët e këtij koleksioni teksa hulumtonte për doktoraturën e tij që ka të bëjë me jetën dhe veprën e fotografit italian që e zhvilloi aktivitetin në Shkodër.

“Stoli vërtetë magjepsëse të Marubit në Stamboll. Këto fotografi të cilat janë riprodhime nga origjinalet që kemi ne në arkivin tonë, në imazhe ‘cabinet carte’ siç quheshin gjatë shekullit të XIX të mbështetura ne disa suporte të cilat mbajnë rreth e rrotull tyre zbukurime me motive floreale”, thotë Bedeni.

Arsyet pse fotografitë e Marubit mbërritën në Stamboll, janë në kuadrin e hipotezave.
“Arsyet i kërkojmë në histori. Në fund të jetës se tij ky sulltan u bë paranojak se mos e vrisnin gjë që e detyroi atë te izolohej. Një mënyrë tepër origjinale që ai gjeti për të shikuar zhvillimet e perandorisë, ishte komisionimi i studiove fotografike. Pietro Marubi është një prej fotografëve që është komisionuar nga sulltani, ndaj ne gjejmë praninë e këtyre albumeve në Stamboll”, thotë Bedeni.

Një tjetër hipotezë mbi mbërritjen e koleksioneve ne Stamboll, është ajo që pashallarët që drejtonin vilajetet, i bënin dhurata sulltanit imazhe nga perandoria. Nga gjithë koleksioni ka vetëm një pjesë që muzeu Marubi nuk e ka.

“Pjesa më e veçantë, apo më e magjishme, e këtij koleksioni, atë të cilën ne nuk e kemi, janë fotografitë e pikturuara me bojëra vaji, me velatura të lehta”, deklaron Bedeni, por që sipas tij, është fakt i njohur që ai pikturonte.
Muzeu “Marubi” ka 500 mijë negativë. Teknika e pikturimit të fotografive zhvillohej asokohe edhe nga vëllezërit Abdullah, ndërsa imazhet e Marubit në Stamboll i përkasin fundit të shekullit të XIX.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit