Home Aktualitet 11 deputetët ...

11 deputetët që nuk e mbyllën mandatin, disa në burg dhe të tjerë ikën nga politika

159
0

Këtë të premte, Gëzim Ademaj ka marrë mandatin e deputetit nga KQZ, pas dorëheqjes së deputeti të PD-së Fation Veizajt në qarkun e Vlorës. Më herët Ademaj ka thënë se do të jetë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por nuk do të heqë dorë nga çështja çame.

Siparin e dorëheqjeve nga mandati i deputetit e hapi Najada Çomo e Partisë Socialiste. Lënia e detyrës si ligjvënëse i dha mundësinë Mimi Kodhelit që të riulej në karrigen e deputetes pasi mbeti jashtë listës fituese për qarkun e Tiranës. Largimet në kampin e socialistëve vazhduan me deputetin e Durrësit Lefter Koka dhe të Tiranës Alqi Bllako. Të dy të arrestuar për aferën e inceneratorëve.

Dorëheqja e Alqi Bllakos ri-ktheu në kuvend një tjetër deputet të armatës së të vjetërve, Pandeli Majkon. Edhe ai si Mimi Kodheli në parlamentaret e prillit të 2021-it e humbi mandatin e deputetit, por iu dhurua nga ikja e kolegut. Të dorëhequrit nga Partia Demokratike janë dy. Ndryshe nga Lefter Koka dhe Alqi Bllako që arsyeja ishte përballja me ligjin, për dy deputetët e qarkut të Tiranës Grida Duma dhe Alfred Rrushaj përballja ishte brenda sojit. PD-në e Sali Berishës apo Lulzim Bashës. As njërën as tjetrën, zgjodhën largimin.

Nëse për socialistët dhe demokratët ndryshoi vetëm lista emërore e deputetëve, Partia e Lirisë pësoi tkurrje në numrin e mandateve. Me ikjen e Agron Çelës, deputetit të qarkut të Shkodrës nga partia e Ilir Metës te e Edi Ramës, PL mbeti me tre nga katër deputetë. Dorëheqjet e deputetëve do të vazhdojnë. Të parët të konfirmuar që do të heqin kostumin e deputetit me synimin për të veshuar atë të kryebashkiakut, konkretisht të Tiranës, Elbasanit dhe Vaut të Dejës janë Belind Këlliçi, Luçiano Boçi dhe Zef Hila nga Partia Demokratike.

Nga socialistët deri më tani priten dy. Ende të pazyrtarizuar ata janë Benet Beci për bashkinë Shkodër dhe Besian Ajazi për bashkinë e Gramshit. Me dorëheqjet e tyre të pritshme shkon në 11-të numri i deputetëve që nuk e çojnë deri në fund mandatin e tyre.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit