Me 1 korrik qeveria praktikisht mbyll gazetat me një manovër fiskale, gjoja të ligjshme

Deri tani sistemi i shitjes se gazetave në Shqipëri ka qenë ku çdo gazetashitës, në pikat ku tregton, i shet gazetat me para në dorë. 300 apo 200 apo 100 lek të vjetra çdo gazetë shitet dhe më pas gazetashitësi në akord me redaksitë e gazetave, arketon lekët e natyrisht edhe dorëzon gazetat e pashitura.

Kjo praktikë ka ndodhur qëkur u krijua gazeta dhe ndodh edhe sot në BE e botë.

Ndërsa në Shqipëri, nga 1 korrikut 2021, qeveria ka vendosur në emër të fiskalizimit çdo gazetashitës të jetë me kasë e çdo gazetë të kalojë nga kasa!

Një veprim absurd, pasi praktikisht nuk ka se si të bëhet, pasi lexuesi (ai pak lexues që ka mbetur) merr gazetën e paguan lekët e nuk ka se si të presë ti japin kuponin në dorë. Pikat e shitjes së gazetave janë biznes i vogël, bile krejt i vogël, dhe nuk kanë mundesi kase.

Natyrisht që ministria e financave edhe në këtë sektor ka forma të ndryshme për ti kontrolluar gazetat apo pikat e shitjes, nëse nuk nisen nga dashakeqsia për ti mbyllur gazetat.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u bën thirrje bizneseve (edhe pikave të shitjes së gazetave) që të fiskalizohen, kjo pasi nuk do të ketë shtyrje. Fiskalizimi për faturat pa para në dorë mes bizneseve nis më 1 korrik, ka theksuar ministrja e financave e cila dikur ka qenë gazetare në gazetën KOHA JONE gjatë viteve të para të pluralizmit. Natyrisht që nuk mbetet vendim personal i ministres Denaj, por mundet i një tjetri ish-gazetari të KOHA JONE, sot kryeministër, pra i Edi Ramës.

Njihen marrëdhëniet e vështira të kryeministrit me shtypin e shkruar, pasi atë radioteleviziv e ka mbërthyer disi në interesa dhe “pranga”.

Ky vendim në thelb është sinjal për botuesit që ti mbyllin gazetat. Natyrisht që ka edhe botues që kanë interesa financiare me pushtetin me leje ndërtimi apo pazare të tjera, ndaj do ta zbatojnë këtë vendim sepse nuk iu interesojnë shitjet, por faqja e parë për presion ndaj qeverisë.

Por gazetat e lira vihen në vështirësi serioze, pasi gazetashitësit do ti mbyllin pikat e shitjes pas 1 korrikut, siç janë shprehur sot me një letër të shoqatës së tyre.

 

SHKARKO APP