Kryebashkiaku Erion Veliaj me 26 korrik i vë “zjarrin” kryeqytetit, sjellë Ermal Metën në stadiumin kombëtar

Nga Herion Mesi-

Tirana, pas pandemisë, ka rifituar jetën e përditshme të para një viti e kusur. Ndonëse akoma janë në fuqi disa masa parandalimi nga Ministria e Shendetsisë, ku deri në ora 23.00 lejohet levizja, përsëri kryeqyteti po zien nga gjalleria. Kryebashkiaku Erion Veliaj duket se ka gjetur një mënyrë të veçantë për ta kthyer rininë dhe qytetarët në stadiumin “Air Albania” në një koncert pa bileta. Dhe kanë rënë dakort me kengëtarin e njohur në Itali e Shqipëri, e jo vetëm në këto dy shtete, Ermal Metën. Do ta sjellë në kryeqytet kengëtarin e madh.

Këngëtari shqiptar me famë në Itali, Ermal Meta ka zgjedhur që koncertin e parë pas pandemisë, ta mbajë në Tiranë. Lajmin e shumëpritur për të gjithë e dha përmes një bisede online me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vetë artisti Meta. Koncerti do të mbahet më 26 korrik në stadiumin ”Air Albania”.

”Koncerti është në datën 26 Korrik. Është koncerti i parë që do bëj për këtë vit, por edhe pas pandemisë. Do e bëj në stadiumin e Tiranës me ndihmën tuaj dhe me falënderime nga ana ime”,-tha Meta.

Erion Veliaj e ka quajtur një lajm fantastik për kryeqytetin, ndërsa veçoi si mjaft të rëndësishëm faktin se kjo do të jetë hapja më e bukur e stinës së koncerteve edhe për Arenën Kombëtare, që nuk ka mundur ende për shkak të pandemisë globale të organizojë evente artistike të përmasave të tilla. Këtë videocall, Veliaj e ndau edhe me ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci, nuk la pa përmendur edhe 30-vjetorin e eksodit të shqiptarëve në Itali.

”Do jetë koncerti i parë në stadium. Jam shumë i lumtur që e hapim stinën e koncerteve, por jam i sigurt që edhe Fabrizio është shumë i lumtur, sepse kanë kaluar plot 30 vjet nga eksodi, momenti ku shumë shqiptarë lanë vendin e tyre për të filluar një jetë të re në Itali, në kushte jashtëzakonisht të vështira, disa me anije, disa me gomone dhe ti je një histori suksesi i atij eksodi”, i’u drejtua Veliaj këngëtarit Meta.

Ambasadori Bucci u shpreh se nisja e turit të koncerteve të Ermal Metës ka surprizuar jo vetëm shqiptarët, por edhe italianët të cilët e kanë mirëpritur lajmin. “Këtu u “çmendën” të gjithë, italianë e shqiptarë. Të gjithë mezi po e presim,” u shpreh diplomati italian.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nënvizoi se ky koncert do jetë falas për të gjithë. “Do hapim një faqe ku njerëzit mund të rezervojnë biletën fizikisht, por vetëm për të rezervuar vendin, pasi na duhet të respektojmë rregullat anticovid. Koncerti do të jetë falas, falë bashkëpunimit edhe me Ambasadën e Italisë në Tiranë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit”,– deklaroi Veliaj. Kurse Meta në fund tha se“Eksperienca ime me koncertet në Shqipëri ka qenë perfekte. E di që çdo gjë është në duar të sigurta, kështu që mezi pres”.

Insistimi i Erion Veliajt për ta ndezur Tiranën në një mënyrë të veçantë, ka sjellë Ermal Metën, një kengëtar i madh si artist. Qytetarët kanë nevojë për një shkundje nga psikoza e pandemisë, pasi një vit e pak muaj e kanë tronditur shoqërinë shqiptare duke sjellë vdekje, stres dhe trauma, siç mund të bëjë Coronavirusi. Në  një farë mënyre Shqipëria e kaloi disi me lehtë, pasi kemi parë se si Italia e famshme u gllabërua nga Covid-19, ku skenat që vinin nga televizionet italiane ishin makabre.

Ndaj me 26 korrik Tiranë do ndizet nga Ermal Meta, natyrisht me “shkrepsen” e kryebashkiakut Veliaj.

SHKARKO APP