207 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil, të parët në rajon

Mbi 207 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian në 10 vitet e fundit. Numri më i lartë i aplikimeve për azil ishte në vitin 2015, me rreth 67 mijë persona, duke u përgjysmuar një vit më pas dhe duke u luhatur në nivelet e 20-24 mijë persona në 2017-2019.

Në 2020-n, aplikimet u reduktuan ndjeshëm, duke zbritur në rreth 7 mijë, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, që u shoqërua me bllokimin e lëvizjeve dhe mbylljen e kufijve. Ajo që bie në sy është numri i lartë i aplikimeve për azil nga minorenët, që përbëjnë edhe 33% të totalit të aplikimeve për gjithë periudhën.

Në krahasim me vendet e rajonit për të njëjtën periudhë, Shqipëria mban rekord për aplikimet në numër total.  Nga përllogaritja e të dhënave rezulton se në 4 vitet e fundit kërkesat për azil të qytetarëve shqiptarë janë sa 3.7% e popullsisë aktuale.

Largimi i shqiptarëve jashtë vendit dhe kryesisht të rinjve ka shkaktuar probleme në ekonominë e brendshme, pasi shumë industri po hasin vështirësi për të gjetur punëtorë.

 

SHKARKO APP