I dërguari i NATO-s zbarkon në Kosovë, takon Osmain dhe Kurtin: Palët të respektojnë marrëveshjet

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus ka mbërritur në Kosovë dhe ka zhvilluar takime me kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.

Kjo vizitë e tij vjen pas tensioneve në veri të Kosovës, kur ende nuk është arritur një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë për shtensionim. Goffus e zhvilloi takimin me Kurtin në zyrën e kryeministrisë, ndërsa më pas është takuar edhe me presidenten Osmani. Goffus u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të marrin hapa për shtensionim të situatës, si edhe të respektojnë të gjitha marrëveshjet e NATO-s.

“Jam këtu për të konfirmuar qëllimin e NATO-s për paqe e stabilitet. Nuk kemi parë përparim nga Prishtina e Beogradi për deeskalim dhe kjo ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Nga ngjarjet e fundit, kemi pasur numrin me të madh të ushtarëve të lënduar të KFOR-it që nga viti 1999. Kjo është e papranueshme. Është çështje urgjente për Prishtinën dhe Beogradin të ndërmarrin hapa konkretë për shtensionim, të dialogojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet”, tha Goffus. Të gjitha marrëveshjet me NATO-n duhet dhe do të respektohen”.

Goffus ka treguar se ka vizituar ushtarët e KFOR-it në veri, ndërsa ka thënë se ushtarët janë të gatshëm të intervenojnë nëse ka përshkallëzim të situatës. “U bëjmë thirrje dy palëve që ta respektojnë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin zbatues të Ohrit. Askush nuk duhet të tentojë një konflikt të ri në Evropë”, tha Goffus.

SHKARKO APP