Aksident me një viktimë në Shkodër, gjykata lë në burg shoferin
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Adnan Galica, i dyshuar si përgjegjës për aksidentin e rëndë të ndodhur pak ditë më parë në qytet, ku humbi jetën 62-vjeçari Shkëlqim Krasniqi, ndërsa një baba dhe dy fëmijët e tij të mitur mbetën të plagosur.
Gjatë seancës gjyqësore, mbrojtja ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke argumentuar se i dyshuari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sipas avokatit Arbër Raja, klienti i tij është i diagnostikuar me skizofreni dhe epilepsi dhe disponon kartelë mjekësore, çka sipas tij kërkon trajtim të specializuar dhe jo mbajtje në paraburgim. Ai ka kërkuar që ndaj Galicës të caktohej masa “arrest shtëpie” dhe që të kryheshin vlerësime të plota psikiatrike nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Po ashtu, në seancë është theksuar se i pandehuri ka pasur edhe një histori të mëparshme aksidenti në moshën 18-vjeçare, nga i cili kishte mbetur për një periudhë në koma, duke i lënë pasoja të gjata shëndetësore. Këto rrethana janë paraqitur nga mbrojtja si argument shtesë për nevojën e trajtimit mjekësor në kushte të posaçme.
Nga ana tjetër, prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e arrestit me burg, duke u mbështetur në seriozitetin e ngjarjes dhe pasojat fatale të aksidentit. Gjykata, pas shqyrtimit të provave dhe argumenteve të palëve, ka vendosur të pranojë kërkesën e akuzës dhe të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjatë seancës, i dyshuari nuk ka dhënë deklarime për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe gjendjes së rënduar emocionale pas ngjarjes. Mjekë të spitalit rajonal të Shkodrës kanë rekomanduar gjithashtu trajtim të specializuar spitalor.
Rasti ka hapur një debat më të gjerë mbi sigurinë rrugore dhe monitorimin e drejtuesve të mjeteve me probleme të shëndetit mendor, si dhe mbi nevojën për kontrolle më të rrepta për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen. Hetimet dhe ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojnë përgjegjësinë e plotë të të dyshuarit.
KOHA JONË SONDAZH

