Home Editorial A duhej statu...

A duhej statusi i kryeministrit, sot?

1385
0

A duhej statusi i kryeministrit, sot?

Shkruar nga Daniel Muçaku-

Sot në ditën e varrimit të vajzës së vogël 7-vjeçare Jonada Avdia po vlonin rrjetet sociale për tragjedinë.

Natyrisht që në këtë rast ka mendime të ndryshme, por një gjë i bashkonte: ishte dhimbja për humbjen e jetës së vogelushes, e cila erdhi nga jashtë shtetit për të kaluar pushimet në Atdhe. Paralel me dhimbjen ishte edhe thirrja ndaj qeverisë që të vendosë rregulla më strikte në bregdet, por edhe kudo në rrugët e vendit.

Ndërkohë Berisha dhe Meta kaluan edhe më tej, duke akuzuar kryeministrin Rama si vrasës në këtë rast.

Bile kanë lajmëruar se nesër, ditën e enjte 4 gusht ora 19.00, do të mblidhen para ministrisë së brendshme për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm dhe asaj të turizmit.

Partia Demokratike ka njoftuar mbajtjen e një proteste nga shoqeria civile përballë Ministrisë së Brendshme. Në njoftim theksohet se protesta mbahet në lidhje me përplasjen për vdekje me gomone të 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë, nga ana e oficierit të lartë të policisë, Arjan Tase.

“Tragjedia në Himarë, Fronti për Shpëtimin Kombëtar thërret protestë të enjten, 4 Gusht, ora 19:00 para Ministrisë së Brendshme. Kërkesë për dorëheqjen e ministrit të Brendshem Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro” – thuhet në njoftimin e PD.

Çdo opozitë gjen mënyra për të rrëzuar qeverinë apo dëmtuar atë, por në rastin në fjalë, kur akoma lotët janë ende faqeve të njerëzve për humbjen e një vajze 7-vjecare, përdorimi i fatkeqsisë njerëzore për të realizuar synimet politike, nuk është korrekt. Sepse edhe në qeveritë e tjera paraardhëse të Edi Ramës, sa herë kanë ndodhur tragjedi, nuk ka patur kaq sensibilim në thelb politik.

Edi Rama kur ndodhi tragjedia e Gërdecit e ku vdiqën 26 veta dhe u plagosën dhjetra e dhjetra qytetarë ishte ky kryeministër i sotëm që shkoi te spitali bashkë me kryeministrin e kohës, Sali Berisha.

Ndaj themi se ngjarja e djeshme mbetet tragjike, e dhimbshme sa nuk ka më, por kur vdekjen e përdor për politikë, nuk është e drejtë. Protesta e shoqërisë civile duhet si mesazh për qeverinë dhe strukturat e specializuara në ruajtjen e bregdetit, por jo duke kërkuar dorëheqje me zor. Dhe me sa kuptohet protesta nesër do të jetë e dhunshme pasi PD dhe Partia e Lirisë duan ta shfrytëzojnë për destabilitet.

Ndërkohë edhe kryeministri Rama si për ti hedhur vetë benzinë zjarrit bëri sot një status, të cilin nuk duhej ta shkruante.

Ja se cfarë shkroi Edi Rama:

Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!

Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurt, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!

Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.

Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin!

Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë, në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!

Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!

Uroj edhe njëherë që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi”- përfundon kryeministri në statusin e tij në rrjetet sociale.

Shefi i qeverisë duhej ta përmbante veten dhe të paktën sot ditën e varrimit nuk duhej të reagonte ashpër kundër opozitës ose të fliste me gjuhën e rreptë të ligjit siç urdhëroi drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Gledis Nano që shkarkoi krejt zinxhirin komanduese të qarkut Vlorë. Por edhe duke marrë masa kontrolli të rreptë ndaj këtyre lëvizjeve në det të gomoneve apo skafeve, që në shumë raste janë të pa kontrolluara.

Nesër do të kemi protestë para ministrisë së brendshme e me sa duket edhe Sali Berisha por edhe Ilir Meta po thërrasin skalionet e tyre për betejë nesër, duke u fshehur pas emrit shoqeri civile.

Në fakt Edi Rama e thirri vetë fortunën qëkur nxori dosjen I.M, ndaj beteja mes palëve do të jetë për jetë a vdekje politike.

Por sido të jetë palët duhet të kenë vetpërmbajtje pasi në mes është jeta e një vajze 7 vjeçe dhe ultimatumet se duhet të ikë filan ministër, janë pretekste për luftë mes palëve politike, çka pritej të fillonte në shtator e jo kaq herët në fillim të gushtit.

Nesër berisha dhe Meta nuk do të ikin pa krijuar përplasje, ndonëse e dijnë se kryeministri Rama nuk do të largojë asnjë ministër për këtë ngjarje.

Duket që tani se do të kemi vjeshtë të nxehtë politike!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit