Çuçi: 13 mijë persona të akomoduar në hotele, çadra dhe banesa sociale
Në mbledhjen e 10-të të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave dhe të fundit në këtë formë, drejtuesi qendror i zyrës operacionale për menaxhimin e fatkeqësisë natyrore, ministri fuqiplotë Bledi Çuçi, dha të rejat më të fundit nga tërmeti. Teksa tha se 13 mijë persona janë sistemuar në hotele, çadra dhe banesa sociale, pohoi se situata në terren po shkon drejt normalizimit. Sipas tij ka një rritje të numrit si pasojë e rikthimit të njerëzve në zonat më të prekura, siç është Durrësi, për të vijuar jetën e përditshme e punën. Ministri informoi po ashtu se bashkia e Durrësit do të marrë vendimin për bonusin e qirasë dhe do të nis akomodimi i njerëzve në shtëpi me qira duke i larguar nga ambientet e tjera.
”Ka patur një angazhim serioz të të gjitha firmave që kanë kontribuar në këtë proces dhe besoj se nuk do të kemi javës që vjen as një nga objektet e prishura në situatën e një grumbulli inertesh, por çdo shesh do të jetë i pastruar”. Çuçi informoi se është koordinuar puna edhe me Prokurorinë dhe me Policinë Gjyqësore dhe besoj se ky process po ecën normalisht. Në lidhje me pjesën e rikuperimit kemi, tha Çuçi, një angazhim të shtuar të ndërtuesve që kanë ndërtuar pallatet që janë dëmtuar. ”Deri tani numri i kompanive që janë paraqitur dhe po plotësojnë dokumentacionin ka arritur 18”.
Ai shtoi se janë nxitur kryetarët e bashkive që për dëme shumë të lehta të krijojnë brigada që mund të ndërhyjnë menjëherë. ”Sepse për shumë pak ndërhyrje, sipas edhe ekspertëve të huaj, pallate me nga 100-200 familje mund të kthehen menjëherë në pallate të banueshme”.
Nga ana tjetër, Çuçi deklaroi se brenda janarit do të jetë gati raporti përfundimtar për vlerësimin e dëmeve, sipas metodologjisë së Bashkimit Europian, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore. ”Të premten kam patur një takim me ambasadorët e këtyre tre organizatave, ku u ra dakord që do të ecet me këtë metodologji dhe brenda janarit do të kemi raportin përfundimtar sipas këtij standardi”, tha ministri Çuçi, gjatë raportimit në mbledhjen e e jashtëzakonshme të qeverisë.