Progres-Raporti, Tahiri: Opozita të bëhet bashkëpunuese për reformat
Progres-Raporti i prezantuar prej Komisionit Evropian këtë të mërkurë për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, është një vlerësim për reformat e qeverisë, veçanërisht atë në sistemin e drejtësisë.
“Është një vlerësim objektiv i përparimit që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e reformave kyç, lidhur veçanërisht me reformën në sistemin gjyqësor. Ajo që vihet re është kushti, – po e quaj kështu, – për të implemetuar deri në fund reformën në drejtësi. Mbetemi në pritje për çështjen e vetting-ut. Është e nevojshme që të bëhet një filtër mbi të gjithë aktorët në sistemin e drejtësisë”, tha ministri Tahiri në nje intervistë për TV Klan.
Tahiri theksoi se hapja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët dhe ftoi opozitën t’u bashkohet reformave dhe në veçanti atyre që kërkon Brukseli.
Sipas tij, Progres-Raporti pasqyron arritjet e gjithë shoqërisë shqiptare, ndaj për këtë ministri i Brendshëm ftoi edhe një herë opozitën t’u bashkohet reformave.
“Kjo nuk është vetëm arritje e qeverisë. Ky është sukses i shoqërisë shqiptare në tërësi. Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike është betejë e jona e përbashkët. Është betejë e shoqërisë dhe në këtë kuadër patjetër dhe e opozitës”, nënvizoi ai.
Rekomandimi për hapjen e negociatave, lexohet nga ministri Tahiri si një listë detyrash që prekin edhe dikasterin e tij në luftën ndaj narkotikëve.
“Jam edhe shumë i inkurajuar nga gjetjet e Komisionit Europian lidhur me luftën që kemi bërë për të pasur hetime proaktive në kuadër të progresit në evidentimin dhe shkatërrimin e bimëve narkotike”, u shpreh Tahiri.
Ministri Tahiri tha se për realizmin e reformave duhet bashkëpunim nga të gjitha palët.
KOHA JONË SONDAZH

