Veliaj, apel: Kurseni ujin, do ketë kufizim furnizimi të qytetarëve
Moti i keq me stuhi shiu që përfshiu Tiranën, përveç problemeve të çastit që shkaktoi në lëvizjen e njerëzve dhe të mjeteve në kryeqytet, ka sjellë një situatë të vështirë edhe në impiantin e filtrimit të ujit në Bovillë. Si pasojë e shirave dhe prurjeve të shumta, uji në ujëmbledhësin e Bovillës është turbulluar, çka ka detyruar Bashkinë e Tiranës të marrë masa për kufizimin e furnizimit me uji të qytetarëve të Tiranës, deri në përmirësimin e situatës dhe vënien në funksion të plotë të këtij impianti.
Situata në Bovillë u ndoq nga afër edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se deri në një normalizim të situatës në këtë impiant do të ketë kufizim të furnizimit me uji të banorëve të Tiranës.
“Po e mbyllim ditën e sotme në Bovillë, ku gjithmonë Bovilla shfaq problematikat pasi ka kaluar shiu, duke qenë se ujëmbledhësi furnizohet me përrenj nga e gjithë Malësia e Tiranës. Situata aktualisht është se në ujëmbledhësin e Bovillës vjen ky lloj uji, i cili ka një turbullirë katër herë mbi normën maksimale të turbullimit të ujit. Do të thotë se është katër herë mbi ç’lejon ky impiant dhe çdo rregull i BE-së. E di se për qytetarët, të cilët do të preken nga furnizimi i kufizuar me ujë, sigurisht që një pjesë e mërzisë do të jetë me Bashkinë, pse nuk e lejon ujin, por asnjë njeri normal, asnjë kryetar bashkie, asnjë njeri që duhet të marrë vendime për qytetarët e vet, nuk do të merrte vendim që të lejonte këtë ujë të kalonte”, tha Veliaj.
Ai sqaroi se për shkak të nivelit të lartë të ujit të turbullt, filtrimi i tij është bërë shumë më i vështirë, çka sjell edhe një sasi të kufizuar uji të gatshëm për t’u shpërndarë banorëve.
“Filtrat tanë arrijnë që me sasi të kufizuar të filtrojnë ujin e ta bëjnë të pijshëm, megjithatë duke qenë se turbullira është përtej normales, do të thotë se për 4 herë më shumë ndotje, reduktojmë sasinë e filtrimit. Kjo do të thotë se në qytetin e Tiranës, në ditët në vijim do të ndihet një kufizim i ujit të pijshëm. Kjo bëhet vetëm për të garantuar jetën e qytetarëve dhe për të mos çuar këtë ujë në çezmat e tyre. Besoj se është më mirë që një lajm të keq ta themi në mënyrë të drejtpëdrejtë, siç është, se sa të bëjmë akrobacira që do të jenë të pafalshme, ndaj duke nisur nga nata e sotme do të ketë kufizim të ujit të pijshëm”, shtoi Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

