Albin Kurti: Opera e parë e Kosovës me premierë historike, “Goca e Kaçanikut”!

Nga Albin Kurti-

Opera e parë e Kosovës me premierë historike!

Dritat, skena, kostumet, trupa teknike, trupa artistike, të gjitha janë gati për premierën historike të operës “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi, në regji të Nikolin Gurakuqit, Mjeshtër i Madh i Republikës së Shqipërisë.

“Goca e Kaçanikut” ka bashkuar kapacitetet artistike të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda institucionit më të ri, Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës.

Nën dirigjimin e Edon Ramadanit, me solistët e shkëlqyer nga të trija vendet, orkestra dhe kori i Operës së Kosovës, sollën në jetë tingujt e krijuar mbi motivet e novelës së Milto Sotir Gurrës me të njëjtin emër.

“Goca e Kaçanikut” ka 53 vjet që është shkruar dhe premiera e saj u vu në skenë më 1979 në Tiranë.

Opera tanimë u shfaq në para-provë për audiencat e reja me programin “Arti në shkolla”, e mbrëmë para premierës me mua ishin të rinjtë me energji të pandalshme nga shtatë shkollat e mesme të muzikës së Kosovës, shkolla “Don Bosko”, Fakulteti i Arteve (UP), Fakulteti i Arteve (UHZ), UBT dhe AAB dhe Universiteti i Tetovës.

U ftoj të gjithëve që ta ndiqni. I uroj shumë sukses të gjithë ekipit.

SHKARKO APP