Andi Tela: Tiktok është rrjeti tipik shkatërrues për gjithë brezin e ri

Një 27-vjeçare dyshohet se i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt në një apartament në Kamzë, pasi iu publikua një foto nga 39-vjeçari tashmë i arrestuar, Altin Çoku. Gazetari Andi Tela, duke folur për bullizimin që bëhet në rrjetin social Tiktok, u shpreh në emisionin ‘Të Paekspozuarit”, se bullizimi në rrjetet sociale duhet ndëshkuar në Kodin Penal, që viktima në këtë rast të ketë mundësi të denoncojë.

“Kur ishim të vegjël, influenca e thashethemit, e lagjes, të vriste dhe jemi rritur me mentalitetin për të viktimizuar femrën, për ta parë atë si viktimë. Tani thashethemi plas në rrjetet sociale. Televizioni ka humbur me kohë për këta dhe ata kalojnë orë të tëra në rrjetet sociale.

Këtu është çështje ndërgjegjësimi si komunitet dhe reagimi si shtet. Bullizimi në rrjetet sociale duhet ndëshkuar dhe për këtë duhet të ketë ndryshime në Kodin Penal, që viktima në këtë rast të ketë mundësi të denoncojë, pra që ai që po e shantazhon të dënohet.

Tiktok është rrjeti tipik shkatërrues për gjithë brezin e ri. Ti mund të shohësh fëmijë, adoleshentë që kalojnë 4-5 orë të ditës në Tiktok. Ai është një rrjet ku ti qëndron aty peng duke parë video pa fund dhe nuk ke më informacion. Një informacion banal dhe që ndikon edhe te vrasjet”-tha Tela.

SHKARKO APP