Home Aktualitet Artisti kinez...

Artisti kinez, Liu Ruowang, në Malësinë e Madhe me “Wolves Coming”, në mbrojtje të natyrës

189
0

Nga Albert Vataj
“Koha Jonë”

Kur një pyll pritet dhe një lum devijohet, biodeiversiteti në një tendencë për të mbijetuar, duke i bërë qëndresë ndryshimeve, shpërfaq natyrshmërinë e gjithë fuqinë së sajë, duke besuar se i vetëm do të mund t’ia dalë këtyre qasjeve kataklizmike. Por jo, ai është krijuar për t’i shërbyer njerëzve dhe prej tyre kërkon përulësisht ndihmë, shpesh edhe përmes rebelimit të katastrofave. Dhe, veç atyre që janë magjepsur nga shkatërrimi, e joshur prej etjes për para dhe përfitime, është një shpirt krijues që zgjohet në natën e këtij argamedoni, dhe përmes artit, të bukurës, përmes zërit prej eteri të thirrjeve të brendshme të një vullneti dritshmërie, zgjat duart duke ofruar si një blatim të shenjtë veprën e tij. Ai është, Liu Ruowang, artist i ri që u rrit pas Reformës dhe Hapjes së Kinës, një yll i ndritshëm në qarqet e artit bashkëkohor kinez që nga viti 2005, i cili me veprat e artit të skulpturës, instalacionet dhe ekspozitat, ai është bërë një artist me ndikim me një njohje ndërkombëtare vazhdimisht në rritje.

Një ardhje e guximshme në Malësinë e Madhe, në truallin e traditave, kulturore dhe historike, është ajo përmes artit të idesë dhe mendimit, artit alegorik, të Liu Ruowang, i cili pas Pekinit dhe Shangait, ballafaqimit krijues në Singapor, Seul (Korea), Queenstoën (Zelanda e Re), në Itali në Bienalen e Venecias 2015, Universiteti i Torinos, në Sheshin Komunal të Napolit, në Sheshin Pitti dhe Sheshin Santissima Annunziata në Firence, në Armory Show në Nju Jork (SHBA), Campell (Francë), Schleswig-Holstein (Gjermani), ai është në Koplik, Malësie e Madhe (Shqipëri). Malësisë bëhet kështu piketë në hartën e zotërimeve të këtij artisti të madh kinez, dhe pjesë e botës së cilës ai ju qas artistikisht.

Pavarësisht mënyrës se si opinioni do të jetë i prirur ta përqafojë këtë mënyrë shprehëse të artit, “Wolves Coming” është një privilegj, jo vetëm për mesazhin që përcjell, për mbrojtjen e natyrës, por edhe për famën e artistit, që është tashmë vlerë që shënjon pretendimet e Malësisë së Madhe t’i përkasë civilizimit bashkëkohor. Është kjo vepër arti, është ky artist, është kjo mundësi që do të bëjë të mundur përafrimin tonë me artin modern, përfshirjen përjetuese me shpirtin e madhe të botës së një artisti të madh.

Për të krijuar një panoramë më të qartë të kësaj ngjarjeje që fut Malësinë në begraundin e veprimtarisë krijuese të këtij artisti të risive, një bashkëbisedim bën të mundur njohjen e caqeve që përbashkohen dhe botëkuptimeve që rreken të qartësohen nën dritën e arsyes artistike dhe mendimit inspirues.

Vepra e artistit kinez, Liu Ruowang, “Wolves Coming”, fitues i Konkursit Ndërkombëtar, Art në Hapësirën Publike”, shpallur nga ministri e Kulturës dhe vendosur në një nga rrethrrotullimet në hyrje të Koplikut, Malësi e Madhe.

Jeni një nga fituesit e konkursit ndërkombëtar “Arti në hapësirën publike”, të shpallur nga Ministria e Kulturës shqiptare. Cilat ishin ndjesit e para për një artist kinez të njohur ndërkombëtarisht, që vjen në Shqipëri s’pariherë me një vepër që është vendosur në një prej rrethrrotullimet e Malësisë së Madhe?

Ndihem shumë i nderuar që puna ime ka fituar një çmim në një konkurs ndërkombëtar në Shqipëri. Kjo është diçka për t’u vlerësuar dhe jam i privilegjuar që i përkas dhe përfaqësoj artin kinez, artin e një vendi, i cili ka një histori të gjatë të miqësisë dhe marrëdhënieve me Shqipërinë. Një pjesë e konsiderueshme e brezit tonë në Kinë, e dinë të gjithë këtë histori të reciprocitetit të dy vendeve miq. Mendoj se është shumë e rëndësishme që tani po e lidhim dhe po e forcojmë më tej miqësinë mes Kinës dhe Shqipërisë përmes artit, si një nga mënyrat më të bukura të shprehjes së këtyre marrëdhënie.

Artisti kinez, Liu Ruowang me një nga veprat e tij, vendosur në një nga sheshet e qyteteve të Evropës

Kush është Liu Ruowang, artisti që “guxoi” të shfaqej në hapësirën publike shqiptare me “Ujqit po vijnë”?

Unë jam Liu Ruowang, një artist që u rrit në Plateau Loess të Kinës. Fillova të punoja për këto vepra, me të cilat kam vendosur ura komunikimi me publikun evropian dhe botëror, në vitin 2006, dhe më 2009. Në vitin 2010 kjo sfidë krijuese, kjo mënyrë e komunikimit estetik dhe artistik, u ekspozua në shumë vende në Pekin, në Zelandën e Re, grupi i plotë prej 111 pjesësh  i punës sime u instalua përgjithmonë në Queenstown, Zelanda e Re. Në Itali, kuruar nga Galeria Uffizi, seti u shfaq në Piazza Pitti dhe Piazza della Annunciation në Firence. Gjithashtu kjo qasje krijuese është ekspozuar në shumë vende në Evropë, si në Pallatin e Vjetër Mbretëror në Danimarkë, Distriktin e Artit të Gjermanisë Veriore, Trienalen Zvicerane të Skulpturës, Bienalen e Venecias dhe Universitetin e Torinos.

E keni menduar ndonjëherë se vepra juaj e vendosur në hyrje të Koplikut, Malësi e Madhe do të shoqërohet me polemika dhe refuzohet nga opinioni publik?

Mendoj se ka mundësi që të ketë një klimë jo dashamirëse dhe mospranim të opinionit publik, i cili si kudo edhe në Shqipëri e ka të vështirë të përshtatet me një risi arti, sepse ai është edukuar me një art të efektit të drejtpërdrejtë, ndërkohë që vepra ime “Ujqit po vijnë”, pavarësisht se ka një mesazh të madh, atë të mbrojtjes së natyrës, sërish e ka të ngurtësuar aftësinë për të depërtuar te aftësia kuptimore dhe përjetuese. Gjithsesi nuk mendoj se do të jetë një refuzim shumë i madh, sepse kjo vepër me këtë tematikë shtjellimi shprehës artistik dhe estetik është ekspozuar edhe në, Gjermani, Francë, Itali, Zelandë e Re, e shumë vende të tjera dhe është shumë e njohur, dhe mund të themi, ka arritur ta gjejë gjuhën e komunikimit. Kështu që mendoj dhe besoj se nuk duhet të ketë asnjë problem edhe në Shqipëri të vendoset kjo marrëdhënie, të përqafohet ky komunikim.

Ju e dini që ujqit kanë një nam të keq në Shqipëri, dhe jo vetëm. Në interpretimin popullor, ulërima e tyre nuk është një ogur i mirë, duke krijuar imazhe të së keqes dhe duke paralajmëruar shkatërrim. A kërkon arti juaj, thjeshtë të thyejë këtë mit, apo të sjellë shprese në një natyrë të rrezikuar?

Në fakt, jo vetëm në Shqipëri, imazhi i ujkut edhe në Kinë, por edhe në kulturat tradicionale në mbarë botën, duhet të jetë pak a shumë i njëjtë qasja mospranimi të ujkut. Por unë mendoj se kemi një keqkuptim për ujkun, sepse ujku në vetvete karakterizohet nga një serë cilësish që e dallojnë, kujtojmë aftësinë e tij për të punuar në grup dhe solidaritet, jeta solide në familje, etj. Këto cilësi mund të kenë marrë vlerësimin e duhur në të kaluarën. Atëherë, si çdo krijesë në natyrë, nuk duhet klasifikuar artificialisht, pasi kjo është e mirë dhe kjo është e keqe. Mendoj se çdo krijesë në natyrë është e rëndësishme dhe diçka që duhet t’i kushtojmë vëmendje.

Si do ta mbronit punën tuaj në rast të një debati të dominuar nga logjika pragmatike dhe estetike? Sepse në këtë situatë aktuale, arti konceptual me mesazhe alegorike përgjithësisht nuk ka gjetur arsyet e duhura për t’u kuptuar dhe mirëpritur artistikisht?

Punimet e mia, si të çdo artisti, janë shprehje e përvojës sime të jetës në çdo fazë. Atë që kam përjetuar dhe ndjerë, e shpreh dhe e formësoj në veprat, si dëshmim i komunikimit tim shpirtëror si një mënyrë për të shpërfaqur gjendjen time emocionale dhe ndjesore. Në fakt, të gjithë në këtë botë janë pothuajse të njëjtë, në mënyrën se si kërkojnë dhe mund të shprehen përmes krijimit, si formë e epërme afrie dhe përfshirjeje jetësore. Shprehja juaj e vërtetë emocionale do të rezonojë edhe me të tjerët. Sepse emocionet e njerëzve dhe kushtet e jetesës janë të afta të gjenerojnë ndjeshmëri.

Punimet e mia janë shumë të njohura, sepse edhe ato kuptohen lehtësisht, sepse identifikohen për fuqinë e tyre shprehëse. Unë kam bërë më shumë se dhjetë ekspozita në Evropë në një periudhë të shkurtër prej tetë ose nëntë vjetësh, dhe kam pasur ekspozita të rëndësishme në Evropë çdo vit, kështu që mendoj se është ende shumë e mirëkuptuar dhe e mirëpritur nga të gjithë arti im.

Çfarë sjellin “Ujqit po vijnë” përveç një reflektimi mbi ruajtjen e natyrës dhe ndjeshmërinë që përçon me punën tënde, unike në trajtën shprehëse dhe imponuese në ngulmin për të kërkuar pranim dhe përfshirje?

Përveç shprehjes së mbrojtjes së natyrës dhe ndjenjave që përcjellin veprat e mia, arti im gjithashtu shpreh, më shumë se sa unë jam thjeshtë një qenie njerëzore. Është shumë e rëndësishme për mua të shpërfaq artistikisht atë që ndiej vërtet dhe shpirtërisht për botën dhe mjedisin. Mbetet detyrë sublime e artistit të ketë rolin e tij, të dëgjohet zëri i tij, të kumtojë me art misionarin.

Arti juaj përfaqësohet kryesisht nga ujqër dhe roje qielli, a ka pasur ndonjë vështirësi për t’u kuptuar, nëse po, si i keni përfaqësuar vlerat e artit tuaj dhe si i keni mbrojtur ato?

Ka pasur disa keqkuptime dhe refuzime kur veprat e mia u ekspozuan në Kinë, por në fakt ato nuk ishin shumë të forta. Sa herë që ekspozoja në hapësirën publike, artin tim do ta pëlqenin shumë njerëzit, veçanërisht të rinjtë dhe fëmijët. Ekspozitat në Evropë janë pritur shumë mirë dhe janë shumë të pëlqyera. Unë shprehem sipas mënyrës sime të krijimit dhe nuk më intereson dhe aq se çfarë mendojnë të tjerët për të.

A mendoni se është e nevojshme të angazhohen krijuesit në një debat të tillë kur opinioni publik nuk është ende gati të pranojë artin jashtë arteve tradicionale dhe nëse po, deri në çfarë mase mendoni se është logjike të debatohen për vepra që nuk janë plotësisht të kuptueshme?

Mendoj se është normale që publiku i gjerë të mos e kuptojë këtë vepër apo ta interpretojë ndryshe. Sepse veprat e artit duhet të nxisin imagjinatën e njerëzve, të stimulojnë shoqërimin e njerëzve, të nxisi kreativitetin e njerëzve. Pra, nuk ka vetëm një interpretim, është vetëm një formë që paraqitet atje, dhe pastaj le të kenë më shumë imagjinatë, më shumë asociacione dhe do të jetë më interesante. Gjithmonë do të krijojë një marrëdhënie të re me njerëzit, domethënë, ju e shihni atë, çfarë mendoni, ose çfarë doni të thoni, mendoj se kjo është më e rëndësishme.

Artisti kinez, Liu Ruowang, me ish-ministren (atëherë ministre) e Kulturës, Elva Margariti, skulptorin Alfred Mirashi – Milot, në ambientet e ministri së Kulturës

Jeni mik i skulptorit të njohur shqiptaro-italian, Alfred Milahi -Milot, fitues gjithashtu i konkursit “Arti në hapësirën publike”, si e vlerësoni Milotin si mik dhe artist?

Miloti është një mik i imi dhe një artist shumë i mirë dhe i njohur ndërkombëtarisht. Ai ka prezantuar një projekt të madh të “Çelësit” në Napoli të Italisë, si dhe ka dhuruar një projekt të madh në Muzeun e Artit Shandong në Kinë. Ne po e ndihmojmë edhe në promovimin e projektit, sepse “çelësi” i tij ka një simbolikë shumë të mirë, duke shpresuar se ka një çelës në botë që mund të hapë zemrat e njerëzve. Ai është një artist shumë i mirë dhe ne mezi presim ta shohim punën e tij në Kinë.

Cila është përshtypja juaj për Shqipërinë? Çfarë keni të përbashkët me njerëzit tuaj?

Kur isha në Shqipëri, u ndava përshtypje shumë të mira. Aty qëndrova katër-pesë ditë. Udhëtova në të gjitha qytetet dhe fshatrat e rëndësishme dhe u takova me ministren shqiptar të Kulturës dhe kryetarët e bashkive të qyteteve të ndryshme. Unë e pashë popullin shqiptar shumë të dashur dhe të thjeshtë, të sjellshëm dhe të ngrohtë, dhe qeverinë shumë pragmatike. Kur fola me ministren e Kulturës, edhe ajo ishte e shqetësuar për këtë projekt dhe shpresonte që ky projekt i artit publik, të mund të sillte investime në zonën lokale dhe të tërhiqte vërtet vëmendjen e njerëzve në qytet dhe më pas të sillte përfitime për njerëzit.

Shkëmbimet dhe miqësitë shqiptaro-kineze mund të jenë një fushë edhe më e madhe zhvillimi në të ardhmen. Sepse ne kemi personalitete shumë të ngjashme, mënyra shumë të ngjashme për të bërë gjërat.

Artisti kinez, Liu Ruowang me kryetari e bashkisë, Malësi e Madhe, në zyrën e tij në Koplik

Çfarë përshtypjesh keni nga takimi njohës që patë me kryetarin e Bashkisë Malësia Madhe, Tonin Marinaj dhe stafin e kësaj bashkie. A e gjetët në pritjen e tij atë frymën e madhe bujarie dhe burrërinë karakteristike malësore, për të cilat keni dëgjuar dhe lexuar?

U takova me kryetarin e Bashkisë, Malësi e Madhe, z. Tonin Marinaj, me të cilin biseduam edhe rreth perspektivave të bashkëpunimit në fushën e artit. Kryebashkiaku Marinaj hodhi disa ide për të ardhmen e qytetit, duke shpresuar se arti mund të nxisë zhvillimin ekonomik të qytetit dhe më pas të bëjë që njerëzit nga e gjithë bota t’i kushtojnë vëmendje qytetit, gjë që mendoj se është një ide shumë e mirë. Kjo ide e tij ka shumë të përbashkëta me të kuptuarit tim për artin në një farë mënyre. Për shkak se ne përdorim gjithashtu artin, për të drejtuar fshatrat në Kinë, vendosja e artit në një fshat të largët do të tërheqë njerëz nga e gjithë bota që të vijnë atje, duke përfshirë ambasadorin e Uruguait dhe nënpresidentin e Microsoft, z. Alain Crozier, të cilët udhëtuan të gjithë nga Pekin për të parë fshatin tonë. Pra, ideja e zotit Kryetar është një ide shumë e mirë dhe ne shpresojmë ta vazhdojmë më tej në mënyrë që të mund të zhvillohet.

Tashmë që puna është vendosur dhe ka përfunduar gjithçka që përbën tërësinë e komponentëve të realizimit të saj, cili është mendimi juaj për bashkëpunimin me Inceptio Studio dhe arkitektin, Indrit Hamit, i cili është përfshirë në ndërtimin e sheshit? dhe plotësimi i elementeve të tjerë që finalizojnë nënshtrimin tuaj krijues në këtë sipërmarrje artistike?

Tani kjo punë ka ardhur dhe është vendosur. Edhe pse nuk isha aty, pashë videon që ishte bërë dhe fotot dhe videot në Facebook nga zoti Kryeministër. Mendoj se rezultati është shumë i kënaqshëm dhe mund të vijë më tej për ta bërë këtë punë më me ndikim në botë. Kjo do ta bëjë këtë vend më të gjallë për shkak të artit dhe dimensioneve që ofron ai.

(Më duhet të bëj një sqarim, në lidhje me intervistën e cila është realizuar para pak kohësh, por për shkaqe të paparashikuara u shty, për të mbetur sërish aktuale)

Linku ju çon te publikimi i kësaj interviste në median kineze

https://mp.weixin.qq.com/s/MdGkub8qJrk8VItEORE0hw

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit