Detaje të reja mësohen nga atentati me armë zjarri ndaj biznesmenit në Lezhë, Aleksandër Deda, i njohur si “Leksi i druve”.
Alkesandër Deda, gjatë udhëtimit me makinën e tij, është përballur me një breshëri plumbash që vinin nga një automjet tip “Audi”, nga ku edhe ka marrë plagë në gjoks. Pas atentatit Deda i është drejtuar Spitalit të Lezhës dhe gjatë udhëtimit, një automjet tjetër i është vënë në ndjekje. Ndërkohë biznesmeni gjatë rrugës ka bërë disa telefonata me të afërm të tij, duke iu treguar se çfarë i kishte ndodhur.
I plagosur ai ka mundur të përshkojë distancën afro 15 km deri afër spitalit, ndërkohë që gjatë rrugës ai ka humbur sasi të madhe gjaku. Pas mjekimit që ka marrë nga bluzat e bardha të Lezhës, ai është dërguar menjëherë për në Spitalin e Traumës, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me ngjarjen mësohet se janë shoqëruar në polici disa persona, që dyshohet se mund të kenë dijeni, ndërsa pritet dëshmia e të plagosurit, për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Atentati ndaj biznesmenit, Aleksandër Deda, ndodhi në superstradën Lezhë-Milot pranë një lokali, mbrëmjen e së martës.
Discussion about this post