BE propozon karikues universal për të gjithë smartphone-t
Bashkimi Evropian ka thënë se do të vendosë një karikues universal për smartphone-t. Kalimi në një kabllo standarde USB-C do të sillte një goditje për gjigantin amerikan të teknologjisë Apple.
Komisioni Evropian propozoi këtë javë (24.09) kabllot USB-C si një standard të unifikuar për teknologjinë e karikimit të smartphone-ve në të gjithë bllokun.
Propozimi krijon një përplasje të mundshme midis BE-së dhe Apple, e cila deri më tani i ka rezistuar përpjekjeve për të imponuar një lloj karikuesi universal.
Pse e propozon BE-ja këtë?
BE ka kërkuar prej kohësh një karikues standard për të gjithë smartphone-t.
Brukseli thotë se situata aktuale, në të cilën ka tre opsione kryesore të karikuesit, është “e papërshtatshme”.
“Konsumatorët evropianë janë të zhënjyer prej kohësh me karikuesit e papërdorshëm që grumbullohen në sirtarët e tyre”, tha nënkryetarja ekzekutive e BE-së Margrethe Vestager në një deklaratë.
“Ne i dhamë industrisë shumë kohë për të dalë me zgjidhjet e saj, tani është koha për veprime legjislative për një karikues të njëjtë,” tha ajo.
Celularët e Apple përdorin ngarkues Lightning, ndërsa prodhuesit e tjerë përdorin ato micro-USB. Sidoqoftë, karikuesit USB-C, të cilët po përdoren gjithnjë e më shumë, do të ishin opsioni i preferuar i BE-së.
“Me gjithnjë e më shumë pajisje, shiten gjithnjë e më shumë karikues që nuk janë të këmbyeshëm ose jo të nevojshëm. Ne po i japim fund kësaj,” tha komisioneri i tregut të brendshëm të BE-së, Thierry Breton.
Vendosja e USB-C si një standard kabllor në një tregun kaq masiv prej 450 milion njerëzish, mund të ketë një efekt vendimtar në tregun global të telefonave inteligjentë.
Si është përgjigjur Apple?
Apple tashmë përdor lidhës USB-C në disa iPad dhe laptopë, por këmbëngul që legjislacioni për të aplikuar me detyrim një karikues universal për të gjithë celularët në Bashkimin Evropian është i pajustifikueshëm.
“Ne mbetemi të shqetësuar se rregullorja e rreptë që urdhëron vetëm një lloj karikuesi i zë frymën inovacionit në vend që ta inkurajojë atë, e kjo nga ana tjetër do të dëmtojë konsumatorët në Evropë dhe në mbarë botën,” tha Apple.
Gama e tanishme është thjeshtuar shumë nga viti 2009 kur kishte dhjetra lloje të ndryshme karikuesish. Komisioni Evropian arriti një marrëveshje vullnetare me industrinë e pajisjeve, e cila e konsideroi një reduktim të madh në llojet e kabllove. Sidoqoftë, Apple ka refuzuar t’i përmbahet asaj.
Sipas propozimit të fundit, i cili ende mund të ndryshohet ndjeshëm para ratifikimit, prodhuesit e smartphone-ve do të kenë një periudhë tranzicioni 24-mujore.
Sidoqoftë, Apple thotë se ky mund të jetë ende një telash i madh për industrinë, pasi mund të pengojë shitjen e pajisjeve ekzistuese.