Home Aktualitet Berisha: Pa q...

Berisha: Pa qeveri teknike, nuk ka rotacion pushteti në Shqipëri

65
0

Berisha: Pa qeveri teknike, nuk ka rotacion pushteti në Shqipëri. Edi Rama, jep dorëheqjen sa nuk është vonë!

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta.

Është kënaqësi e veçantë dhe u falënderoj me shumë mirënjohje për këtë takim shprese të përnatshëm. Për fjalët tuaja, për praninë tuaj, betejën tuaj me të cilën ju rrezatoni shpresë, besim tek mbarë shqiptarët.

Të dashur miq!

Sot, njëlloj si në pushtimet më të egra, ne përballemi me dy të këqija të mëdha. Me dy armiq të egër të qenies sonë.

Së pari, me mohimin e votës së lirë.

Së dyti, me vjedhjen e tmerrshme të pasurive publike dhe fondeve publike nga qeveritarët tanë.

Që të dyja këto fatkeqësi të mëdha kombëtare, të dy këto mure që na ndajnë nga e ardhmja që meritojmë, kanë një autor, kanë një ndërtues të tyre, dhe ky është Edi Rama.

Të dashur miq!

U bëj sonte thirrje shqiptarëve kudo që janë të mendojnë për një moment dhe të shtrojnë pyetjen vetes: si ka mundësi që në vitin 2013, ne arritëm të jemi qytetarët më të mirëpaguar në rajon, arritëm të kemi rrogat dhe pensionet më të larta në rajon.

Çfarë ndodhi me ne këto 10 vite, gjatë të cilave rrogat duhet të ishin dyfishuar, minimumi dyfishuar, për të mos thënë trefishuar? Pse ne u rrokullisëm përsëri siç kemi qenë në dekada në mos shekuj, njerëzit më të keqpaguar në rajon?

Kjo ka vetëm një shpjegim. Asgjë tjetër, vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje të pasurive të qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama dhe klika e tij. Cilido që sheh shifrat, konstaton se pas vitit 2013, shqiptarët paguajnë taksa dy herë më shumë. Se pas vitit 2013, rrogat njëlloj si në sistemin komunist u ngrinë dhe nuk u rritën.

Borxhi u rrit, rrogat dhe pensionet nuk u rritën. Çmimet u rritën dhe tejkaluan çmimet në vendet e BE-së.

Sot, miqtë e mi, ushqimet e përditshme i blen më lirë në Itali, i blen më lirë në Greqi, i blen më lirë në shumicën e vendeve të BE. Kjo sepse rrogat, pensionet, mbeten ato të cilat ishin. Nuk ndoqën rritjen e çmimeve. Kjo bëri që varfëria e frikshme të shtrohet këmbëkryq në 60 përqind të vatrave të shqiptarëve.

Ndërkohë, rrogat e zyrtarëve më të lartë, krahasuar me rrogën mesatare të shqiptarëve, u bënë 6 herë më të larta. Por jo vetëm 6 herë, por edhe 15 herë më të larta. Nuk ka vend në botë që një zyrtar të marrë 15 rroga, apo të marrë 70-80 pensione në muaj.

Kjo ndodh vetëm në sistemin ku nomenklatura e pushtetit nuk pyet për jetën e qytetarëve. Kjo ndodh vetëm në sistemin ku gjykatës dhe prokurorë blihen nga qeveria me rrogat e larta. Dhe i jepet gjykatëses 6 milionë rrogë, 7 milionë rrogë, një krim shtetëror i vërtetë.

Një muaj më parë po lexoja deklaratën e një kongresmeni të SHBA, i cili u shpreh se të ardhurat e tij mujore nuk ishin rritur një dollar të vetëm nga viti 2009 gjer në vitin 2024.

Ndërkohë, rroga mesatare e amerikanëve ishte rritur në mënyrë progresive. M’u kujtua Shqipëria, ku rroga mesatare e shqiptarëve, në raport me çmimet, është ulur të paktën me 40-50 përqind. Kurse rrogat e larta të ministrave, qeveritarëve, janë dy e trefishuar dhe më shumë.

Të dashur miq!

Me këtë qeveri, varfëria do rritet gjithnjë e më shumë. Skamja do bëhet gjithmonë e më e frikshme.

Edi Rama me avionin e tij taksi nuk do shpenzojë 22 milionë euro në 18 muaj, por më shumë, edhe 30, edhe 40 milionë. Pasuritë publike nuk kthehen në të mira materiale për qytetarët, por kthehen në të mira për qeveritarët.

Çdo gjë po e trajtojnë si pronë të tyre, çdo gjë po e plaçkisin si pronë të tyre.

Le të pyesim veten, a ka njerëz në Europë më të mashtruar se shqiptarët nga Edi Rama?

Më thoni ju mua, a nuk premtoi ky 300 mijë vende pune?

A nuk premtoi ky heqjen e TVSH-së nga ushqimet?

A nuk premtoi ky ujë të pijshëm në çdo shtëpi?

A nuk premtoi ky hapjen e negociatave me BE-në?

A nuk premtoi ky Korridorin Blu e ku ta di unë?

Ku janë? Mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime.

Të gjitha këto do përkeqësohen, e keqja nuk ka fund në qoftë se ne nuk i japim fund asaj. Dhe kjo e keqe është Edi Rama me vjedhjet e tij, me mashtrimet e tij, me rrëmbimin e votës së shqiptarëve.

Ndaj dhe u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen për një qeveri teknike si kushti i të gjitha kushteve që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Të votojnë me dinjitet, të zgjedhin ata drejtuesit e tyre. Si kushti i të gjitha kushteve për të vendosur barazinë para ligjit. Për t’u dhënë shqiptarëve sistemin e drejtësisë që meritojnë.

A mund të rrimë ne soditës para kësaj situate? Jo, kurrë!

Ndaj dhe duhet të ngrihemi në betejën pa kthim, në mosbindje civile në çdo qytet, në çdo skaj të Shqipërisë. Për një qeveri teknike. Për betejë, rotacionin e pushtetit.

Të dashur miq!

Shqipëria sot duhet të kishte rrogat dhe pensionet më të larta në rajon.

Çdo vit, sipas KLSH-së, vidhen 130 përqind e fondit të pagave të vendit. Vidhen mbi 90 miliardë lekë.

Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka pasur një qeveri të tillë.

Ju e morët vesh se në muajin janar, 31 ditët e janarit, asnjë qindarkë nuk u investua nga buxheti i shtetit në Shqipëri. Pra, në janar, paratë tuaja, taksat tuaja, nuk u përdorën, nuk u investuan për asnjë shërbim tuajin. Për asnjë rrugë, për asnjë shkollë, për asnjë vend pune, për asgjë. Po a mund të ndodhë kjo mor miq? Kjo ndodh kur nuk ke qeveri, ose kur ke qeveri që vjedh edhe duke fjetur, që vjedh natën, që vjedh ditën, që vjedh në ccdo kohë.

Kjo është qeveria.

Nga mëngjesi gjer në darkë shpërndajnë mashtrime nga më ordineret, të turpshme, fshehin krime. Shqipëria sot është vendi më i pasigurt në Europë dhe në botë. Është njëlloj si pazar lufte. Çfarë marrin qytearët? Mashtrimet e Taulant Ballës dhe Edi Ramës për të cilët s’po ndodh asgjë.

Ndaj miqtë e mi, sot më shumë se kurrë, jeni të ftuar të ngrihemi në betejë pa kthim, më mosbindje civile për qeverinë teknike.

Pa qeveri teknike, zgjedhje të lira nuk ka.

Pa qeveri teknike, rotacion pushteti në Shqipëri nuk ka.

Pa qeveri teknike, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, Shqipëria mbetet një vend i ndëshkuar, një vend që braktiset nga shqiptarët.

Ndaj dhe ftoj shqiptarët, ftoj çdo shqiptar të frymëzohet nga ju, të ndjekë shembullin tuaj, të vazhdojmë betejën tonë, të mbjellim shpresë dhe besim në të katër anët e vendit.

Asgjë nuk na ndan ne nga fitorja jonë. Asgjë nuk na ndan ne nga realizimi i qëllimeve tona.

Ne do fitojmë!

Ndaj dhe edhe njëherë, mirënjohjen më të pakufijshme. Edhe njëherë, Edi Ramës, jep dorëheqjen sa nuk është vonë.

Largohu se forcë në botë nuk mund të pengojë shqiptarët pa rikthyer votën e lirë, pa shpëtuar Shqipërinë nga narkoshteti, kthetrat e këtyre hajdutëve që s’i ka pasur kurrë në histori Shqipëria as Europa.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit