Home Forum Big Brother a...

Big Brother apo Luiz Brother?!

520
0

Nga Nest Zefi

Dy fjalë telegrafike mbi eventin e eventeve mediatike e sociale të këtyne ditëve, i cili po mban të “gozhduem” para ekranit, popullin tonë, pa dallim feje, krahine dhe ideje…

Tue shpreh distancimin solemn prej analizave “psikoanalizuese” plot thashetheme banale të galaksisë të bigotizmit apo moralizmit otoman, pranoj se ne tre ditë që isha në Shqipni para nji jave, “u infektova” prej entuziazmit të atyne të afërm, miq e dashamirë si tifoz i zjarrtë i Luizit, edhe pse e kam ndigjue sall gjatë kohës që berberi po më “krasiste” kryt e mjekrren…ky i fundit natyrisht fans i tij..

Para disa ditësh, ndoshta profetikisht, në raport me këtë status, pata shkrue nji status tjetër mbi “Iluzionin e Kulturës”, si ftesë me dallue modelin e kulturës si grumbullim rraqesh me çertifikim mesataret dhe asaj autentike që vjen prej Zotit dhe gjen korrespondencën e duhun në mirësinë e talentit të nji personi të caktuem.

Luiz Ejlli konfirmon e ilustron plotësisht çka kam desht me thanë me atë status, tue “birue” ekranin e televizionit me talentin e nji artisti të epërm, autentik, me të cilin sintonizohet çdo njiri i arealit të tij kulturor e fetar dhe çdo njeri vullnetmirë. Luizi asht ma i mirë se Fiorello, artist i lemë, potencialitet që ka nevojë të shpërthejë ende në krejt madhështinë e vet. Ato sulme qyqare prej mrendë apo jashtë, janë dekorata ma e mirë për ta. Gjuha e tij hyjnore në melodi edhe në substancë, natyrshmënia në sjellje dhe uniteti ontologjik me rolin që ka marrë në atë program, janë fuqia pedagogjike edukuese ma spektakolare që ka shpesh nji televizion shqiptar ndonji herë në historinë e tij. Përballë nji personazhi me talent artisti të tillë, i rritun nën trysni persekutuese shoqnore, në nji kontekst të zorshëm e sfidues deri në kufijtë e mbijetesës, me u marrë me faktin që a kenë atashe kulture në Francë apo noter, tue aludue e insinue s’korrektësi prej tij, asht nji poshtërsi e ulët dhe shej i nji inadi patologjik. Artista të këtij kalibri, nuk mund të kapen prej “radarëve” të njerzve të vegjël dhe ky interes i madh popullor kallxon se jena për herë të parë përballë nji fenomeni unikal i cili ka përmbys kopionin artificial të banaliteteve të ofertes mediatike shqiptare pa nerv e fantazi. Luizomania asht krejt e justifikueshme dhe sikur e thashë qysh në fillim, kena të bëjmë jo me “big brother” por me “Luiz Brother”. Ky emision në kontekstin shqiptar do të mbahet mend sall për meritë të Luizit..

Si përfundim, mendoj se meriton nji mirënjohe regjizori Eduart Grishaj që duhet ta ketë “peshkue” Luizin, edhe falë atij solidariteti të nëndheshëm që “humusi” i përbashkët i ka frymzue… Gjithsesi, asht blasfemi me thanë se Luizi ka garë me kand aty, mbasi ai asht thjesht nji solist i rrethuem me nji kontorno të imponueme prej formatit, prej të cilit shoqnia jonë duhet me nxjerrë msime për me valorizue “Luiza” të tjerë në rrafshe të tjera, përfshi edhe ato politike..

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit