Bota përballë krizës energjitike, Janez Kopac këshillon Shqipërinë sesi të reagojë

Kriza energjetike po tremb botën. Pasiguri dhe frika tek qytetarët europianë, është shtrirë edhe në vendin tonë, sidomos pas fjalimit të Ramës. Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Janez Kopac, thotë se nuk i pëlqen termi “krizë energjetike” pasi nuk është e tillë. Për të aktualisht kudo në botë ka një rritje çmimi, e ndikuar nga disa faktorë si për shembull; rikuperimi i shpejtë nga pandemia e Covid-19, masat e marra kundër emetimit të CO2 në atmosferë në kuadër të masave për ndryshimet klimatike dhe mungesa e furnizimit me gaz nga Rusia.

Intervista e plotë për ”Euronews Albania”

Në opinionin tuaj a është kriza energjetike aktuale drejt fundit, apo prisni që të vijojë përgjatë dimrit?

Nuk më pëlqen të përdor termin krizë energjetike, por kemi çmime shumë të larta të energjisë dhe gazit jo vetëm në rajon por në të gjithë botën. Kjo është pasojë e shumë faktorëve, një prej të cilëve është rikuperimi i shpejtë pas pandemisë së COVID, nga Azia në SHBA dhe Evropë; një tjetër janë çmimet e larta për emetimet e CO2-shit, të nxitura nga ambiciet për klimën në BE dhe vende të tjera.

Më pas vjen mungesa e furnizimit me gaz nga Rusia, mungesa e erës gjatë këtij viti në Gjermani dhe vende të tjera. Kombinimi i këtyre faktorëve i bënë çmimet shumë më të larta se çmimet tradicionale dhe ky trend do të vijojë këtë dimër, vitin e ardhshëm dhe ndoshta deri në dimrin tjetër. Ndoshta nuk do të jenë të larta siç janë aktualisht, por nuk do të kthehen në çmimet tradicionale me të cilat jemi mësuar.

Ndoshta nuk do të kthehemi kurrë në këto çmime për shkak të ambicieve të klimës që po intensifikohen. Ky është një realitet i ri. Në Shqipëri, ose në Evropën jug-llindore, që nuk është pjesë e BE-së, nuk ka arsye për një krizë të tillë…

Do të flasim për Shqipërinë, por më lejoni t’ju bëj një pyetje tjetër. Ju përmendët më parë faktorët, por në opinionin tuaj a kanë të bëjnë faktorë të jashtëm të tregut që mund të ndikojnë tek kriza, si lojërat gjeo-politike për shembull?

Paksa, po. Një faktor, sikurse e përmenda, është mungesa e furnizimit me gaz nga Rusia; një tjetër është importi i lartë i qymyrit në Kinë, ndalimi i importi të qymyrit nga Australia nga Kina dhe faktorë të tjerë. Por në përgjithësi janë rikuperimi ekonomik dhe ambiciet e klimës. Këto janë dy gjëra që ne në përgjithësi i mbështesim, por që kanë kostot e tyre, të cilat po i ndjejmë.

Le të flasim për Shqipërinë. Dy ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se vendi do të përballet me një krizë energjetike. Cili është komenti juaj për këtë? Dhe kur Shqipëria prodhon të gjithë energjinë e saj nga stacionet hidrike, gjatë periudhës së thatësirës duhet të importojë nga prodhuesit evropianë. Në këtë situatë, si mund ta shmangë ajo impaktin e rritjes së çmimeve të elektricitetit?

Shqipëria është me fat për shkak të gjenerimit të energjisë nga burime të rinovueshme, por ky import do të preket patjetër nga çmimet e larta, kjo është e sigurt. Vetë Shqipëria nuk mund të bëjë shumë në këto momente, por mund të kishte bërë më shumë në të kaluarën, për të qenë më e përgatitur për situata të tilla.

Një gjë është funksionimi më i mirë i tregjeve rajonale. Ne kemi tregje të ndryshme kombëtare, si ai i Shqipërisë, ku nuk ka një bursë dhe nuk ka efikasitet dhe likuiditet financiar. Sikurse e thashë, ky është një problem rajonal, që prek gjithashtu Shqipërinë. Ndërkohë, ka edhe një përdorim të ulët të linjave ndërkufitare. Në rajonin tonë, përfshirë Shqipërinë, vetëm 25-30 për qind e kapaciteteve që ekzistojnë në linjat energjetike përdoret për tregtimin e volumit të elektricitetit. Në BE ky nivel është detyrimisht 70 për qind.

Nëse në rajonin tonë sistemet operatore të transmetimit, përfshirë atë shqiptar, do të lejojnë një përdorim më të madh, kjo do të lehtësonte situatën. Ka edhe elementë të tjerë të kësaj krize. Besoj se familjet nuk do të preken, pasi që tani ato paguajnë çmime artificialisht të ulëta. Dhe të gjitha vendet e rajonit, përfshirë tuajin, kanë probleme në përcaktimin e marrjes së ndihmës sociale. Vetëm këtyre grupeve u duhet ofruar çmimi i ulët, të tjerët që mund të përballojnë duhet të paguajnë çmimin e tregut.

Cili do të jetë rekomandimi juaj për qeverinë tonë, për të shmangur këtë të ashtuquajtur krizë?

Lëvizja e parë mund të jetë ngarkimi i operatorit të transmetimit me detyrën e ofrimit të sasive më të mëdha për linjat ndërlidhëse rajonale, për import apo eksport kur është nevoja. Kjo është ajo që mund të bëhet me shpejtësi. E dyta është funksionimi i bursës së energjisë, por një gjë që nuk ka funksionuar jo vetëm prej muajsh, por prej vitesh, nuk mund të funksionojë në një periudhë të shkurtër. Thjesht nuk është e mundur. Ndaj, në terma afatshkurtër, kjo është këshilla.

SHKARKO APP