Kombëtarja shqiptare U-19 ka zhvilluar sot një miqësore me Partizanin B në kuadër të grumbullimit 3-ditor, që kuqezinjtë e vegjël kanë nisur që ditën e hënë. Trajneri Armando Cungu pati mundësinë të testonte të gjithë lojtarët e grumbulluar në test, që u zhvillua në kompleksin Internacional në Pezë Helmës të Tiranës.
Në prononcimin e dhënë për Fshf.org, trajneri Cungu fillimisht falënderoi drejtuesit e federatës për besimin që i kanë dhënë dhe u shpreh optimist për të ardhmen e ekipeve kombëtare si edhe për cilësinë e prurjeve të reja. “Unë besoj se detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar U-19 është një post që nderon çdo trajner shqiptar. Mendoj se është një arritje kulminante në karrierën e një trajneri. Të jesh trajneri i njërës prej përfaqësueseve shqiptare është një ëndërr për çdo trajner, kështu që gjej rastin edhe të falënderoj drejtuesit e FSHF-së, të cilët më besuan në këtë post. Sigurisht që kënaqësia është e madhe t’i shërbej edhe unë sadopak elementeve të ekipeve kombëtare shqiptare për të bërë një Kombëtare të madhe edhe më të mirë, edhe më të suksesshme, sepse realisht nuk mungojnë edhe djemtë, edhe talentet në futbollin shqiptar”, tha Cungu.
Më tej, tekniku kuqezi theksoi se këto grumbullime janë një mundësi e mirë për të vëzhguar nga afër lojtarët e perspektivës, qoftë ata që luajnë jashtë vendit, qoftë dhe talentet e kampionatit shqiptar.
“Grumbullimet janë gjithmonë të vlefshme, bëhen për një arsye sepse ne jemi në fazën e vëzhgimit të lojtarëve dhe këto grumbullime për këtë arsye bëhen, për të parë, për t’u dhënë mundësi lojtarëve dhe për t’i përfshirë në databazë. Gjithashtu, për t’u munduar që të bëjmë më të mirën për këto djem dhe për këtë brez. Jam i bindur që do të vazhdojmë dhe do të kemi edhe grumbullime të tjera në mënyrë që t’i japim mundësi çdo lojtari, jo vetëm atyre që luajnë jashtë, por do të jenë të vëzhguar me shumë detaje dhe më shumë vëmendje edhe futbollistët që luajnë në kampionatin shqiptar e që janë të grup-moshës U-19 në mënyrë që të nxjerrim elementet e duhura dhe të bëjmë një ekip kompetitiv, që t’i vlejnë nesër normalisht edhe zinxhirit të Kombëtares së madhe”, – vijoi Armando Cungu.
Miqësorja e së martës përfundoi me fitoren 2-0 të Partizanit B, ndërsa ekipi Kombëtar U-19 do të zhvillojë ditën e mërkurë (datë 24 shkurt 2021) një miqësore me ekipin Kombëtar U-18.
Discussion about this post