Home Aktualitet Disa pyetje p...

Disa pyetje për ministrin arrogant që kërkon justifikime

5
0

Nga Trashgim Sokolaj*

Disa pyetje që lindin natyrshëm pas deklaratës fillimisht arrogante e më pas justifikuese të z. Ministër:

  1. Nëse Policia e Shtetit nuk duhet të jetë pas çdo makine që shkel rregullat dhe vret njerëz, kush duhet të jetë pas saj? Policia pyjore, pastruesit publikë, apo zjarrfikësit?

Çfarë mesazhi jepet me këtë deklaratë? U thuhet skifterave të rrugës vazhdoni ju se policia ka halle tjera?!

  1. Nëse policia nuk merret me sherret mes fqinjëve, po në mes të zonës turistike, në konfliktin verbal të ndodhur ditën e që ka vijuar në mesnatë, pasi palët janë armatosur, pse nuk ndërhyn policia? Pse nuk vendosen patrulla me shërbim 24 orë në zonat turistike që të ndërhyjnë më shpejt, po edhe të marrin vesh konfliktet që ndodhin?
  2. Nëse po përgatiten ndryshime në zinxhirin drejtues të drejtorive dhe komisariateve në nivel qarku, që janë të mirëpritura e të nevojshme, pse nuk prek kjo analizë edhe nivelin qendror? Kush i ka propozuar dhe emëruar drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve? Kush i kontrollon, kush e vlerëson punën e tyre?

Dhe nëse vijojmë me këtë logjikë, pse duhet që shefat nga qendra të shkojnë e të mbledhin kufomat sa herë ndodhin makabritete të tilla në rrethe, apo për të shpenzuar karburant me makinat e tyre luksoze?

Sot pamë një ministër që nuk tha dot një fjalë për drejtorin e përgjithshëm të policisë. Një konfirmim në fakt i asaj situate që është bërë tashmë realitet prej kohësh, për një të paprekshëm, ndaj të cilit u zhvilluan protesta masive për vrasjen e padrejtë të Klodian Rashës dhe jo vetëm që nuk iku, por hëngri kokën e ministrit dhe vetë i forcoi edhe më fort pozitat.

Mesa duket për të dalë në konferencë shtypi në Elbasan muaj më vonë e për të thënë se në makinën e gjetur në skenën e një vrasjeje s’kishte materiale zgjedhore, edhe pse më pas në gjykatë doli në dritë të diellit se ishin gjetur fotokopje kartash identiteti dhe sasi parash.

Unë nuk kam të dhëna se ky i paprekshëm ka kryer ndonjë abuzim në detyrën e tij, por ky është rasti kur besnikëria dhe përulësia tej çdo limiti bëhen shkak për teprim, abuzim, neglizhim e vlerësim të gabuar të situatave me pasoja e dëme në jetën e qytetarëve dhe të vendit…! Dhe besoj se kaq mjafton për ta ndaluar një raport të tillë që është bërë shkak për fodullëk, mendjemadhësi dhe shkëputje nga realiteti plot me problematika reale të bëra kapicë.

Përmendja e emrave të gjyqtareve dhe prokurorëve që lirojnë kriminele është strategji e vjetër nga koha e S. Tahirit. Është jo efektive. Vendimet e tyre duhet të apelohen me dosje të kopsitura mirë, e nëse kanë marrë apo marrin para për këto vendime, kapini në flagrancë dhe rrasini brenda, se s’ju pengon askush, madje keni gjithë mbështetjen e publikut.

*Trashgim Sokolaj, gazetar i “Kronikës”

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit