Drejtori i Agjencisë kundër krimit i Britanisë së Madhe: Bashkëpunimi me Policinë shqiptare, model për t’u ndjekur

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mirëpriti sot drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit të Britanisë së Madhe (NCA), Graeme Biggar. Në takimin e zhvilluar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ishin gjithashtu të pranishëm ambasadori britanik Sh. T. Z. Alastair King-Smith, si dhe zv.drejtori i Agjencisë, menaxheri që mbulon rajonin dhe oficerë ndërlidhës të saj.

Në fokus të takimit, sipas Policisë, ishin ngritja e një taskforce kundër krimit të organizuar; ngritja dhe konsolidimi i skuadrave të përbashkëta hetimore; shkëmbimi i vendimeve penale, me qëllim sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga krimi; shkëmbimi i menjëhershëm i informacioneve, me qëllim goditjen e grupeve kriminale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku në takim evidentoi rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2023, më të mirat e arrira përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe menaxhimit të fluksit shumë të lartë të turistëve, pa u shënuar ngjarje kriminale. Më tej, ai rikonfirmoi zotimin e Policisë së Shtetit si partnere stoike, profesionale dhe e besueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër aseteve të tij.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare kundër Krimit të Britanisë së Madhe (NCA) Graeme Biggar e cilësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si model për t’u ndjekur nga agjenci të tjera të zbatimit të ligjit.

Gjithashtu, ai nënvizoi se ky bashkëpunim është ndërtuar mbi themele të forta besimi, të cilat u dëshmuan dhe nga rezultatet shumë të mira të punës së taskforcës kundër Emigrimit të Paligjshëm.

SHKARKO APP