Home Aktualitet DW: Asnjë për...

DW: Asnjë përparim në dialogun për çështjen e dinarit

19
0

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel paraqiten propozimet e tyre për dinarin, por nuk u dakorduan. Palët akuzuan njëra-tjetrën, ndërsa Lajçak tha se propozimet qartësuan shumë gjëra.

Dallime të mëdha në qëndrime kishin përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë në takimin e 25 marsit në Bruksel, ku u diskutua për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Ndërmjetësi i dialogut Mirosllav Lajçak, siç shkroi në platformën X, megjithatë shpreson që javën e ardhshme me 04.04, kur palët prapë do të takohen në Bruksel, të gjendet një zgjidhje për dinarin.

“Ne u ripajtuam që të takohemi prapë javën e ardhshme me ambicien që të gjejmë një zgjidhje”, shkroi Lajçak.

Të dyja palët në takimin e së hënës në Bruksel paraqiten propozimet e tyre, diskutuan për to por nuk dhanë detaje. Palët kritikuan njëra-tjetrën, ndonëse Lajçak tha se propozimet qartësuan shumë gjëra.

Dallimet janë të mëdha

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha, ndërsa propozimin e Kosovës ai e cilësoi si konstruktiv.

“Mendoj që pala jonë ka paraqitur një propozim shumë konstruktiv, i cili mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final. Por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e Bankës Qendrore (BQK) dhe korniza legjislative e vendit tonë, për arsye se fokusi ynë ka qenë qytetari për të cilin jemi të bindur se ka nevojë dhe duhet të ketë mundësi të pranojë edhe më tej mbështetjen financiare të cilin shteti i Serbisë e ka paguar deri më tani”, tha Bislimi. Sipas tij, “një zgjidhje për rregulloren e BQK-së, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa, është e mundur dhe lehtë e arritshme. Por kërkohet vullnet politik i të dyja palëve.

“Propozimi i palës nga Prishtina nuk ofron zgjidhje”

Të kundërtën pohon kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, sipas së cilit, propozimi i Prishtinës “nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi”.

“Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ishte propozimi i Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, por mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër të mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq. Sipas tij, ai nuk e di në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Ai akuzoi Prishtinën zyrtare, se “nuk ka vullnet politik për të arritur një zgjidhje”.

“Pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimin e bankës së Serbisë në Kosovë, përmes (Kursimores së Postës), në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër. Ky është thelbi i propozimit tonë”, tha Petkoviq.

Rregullorja në fuqi nga shkurti

Nga data një shkurt në Kosovë përmes një rregulloreje të BQK, u ndalua përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme. Nisja e zbatimit të kësaj rregullore nxiti reagimin e Beogradit dhe të komunitetit ndërkombëtar. Shtet e Quint-tit, i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur serb që të përshtaten me praktikën e re. Por qeveria e Kosovës vazhdon të refuzojë suspendimin e rregullores. Megjithatë ajo pajtohet që të gjenden mënyrat më të mira që qytetarët serb që jetojnë në Kosovë të marrin ndihma financiare nga Serbia, por vetëm në euro, e cila është valuta e vetme zyrtare në Kosovë. DW

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit