Home 33 vite KOHA JONE Edi Rama i sh...

Edi Rama i shkruante Aleksandër Frangajt në Burgun e Tiranës, “Koha Jonë” 15 shkurt 1994

433
0

Sot pas 30 vitesh, kjo letër që Edi Rama i shkruante Aleksandër Frangajt në Burgun e Tiranës, që mban datën 13.02-1994 dhe që është publikuar në “Koha Jonë” më 15 shkurt 1994, i cili është dënuar nën akuzën “Informacion i rremë që ngjall panik”, bashkë me gazetarin Martin Leka, më shumë se vlerë e memories është një shpërfaqje të betejës që bënë me pushtetin e Berishës, gazetarë dhe intelektualë, demokratë dhe idealistë, të cilët besuan te ndryshimet demokratike, por nuk u pajtuan, zgjodhën të ndeshen dhe të mos heshtin kur ata u përballën me të vërtetën, se e gjithë kjo e ashtuquajtur demokraci ishte një farsë. Dhe se “te Lufta e Pandërprerë qëndron triumfi i intelektualit mbi të Pamundurën”.

Një letër e shkruar siç vetëm Edi Rama dinte, lexojmë sot pas 30 vitesh dhe arrijmë të kuptojmë se çfarë erdhi më pas, dhe pse disa gjëra nuk shkuan në drejtimin e duhur dhe disa të tjera mbetën në udhëkryqet e fatit të pamundurës, ishin rrjedhojë “se dekompozimin mundet vetëm ta luftosh, por jo ta mundësh”.

Për sqarim, të gjithë atyre që nuk ishin pjesë e këtyre betejave për fjalën e lirë dhe që sot e kanë të pamundur ta besojnë, se pushteti që erdhën me flamujt “Liri-Demokraci”, e përligji pushtetin me prangosje të Fjalës së Lirë, bëjmë me dije si vijon:

Me një vendim arresti të datës 29/01/1994, të nënshkruar nga Arben Qeleshi, Prokuror i rrethit Tiranë, nën akuzën “Informacion i rremë që ngjall panik”, arrestohen, kryeredaktori i “Koha Jonë”, Aleksandër Frangaj dhe gazetari, Martin Leka. Në fletë-arrestin për Frangaj citohet se “Në kundërshtim me përmbushjen e rregullit të detyrës së tij si kryeredaktor, ka lejuar botimin e pjesëve të urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes në gazetën e datës 21.01. 1994, urdhër, i cili përbën sekret shtetëror”. Në reagimin e tij të datës 1 shkurt 1994, botuesi Nikollë Lesi sqaron gjithashtu se… Aleksandër Frangaj akuzohet se ka lejuar botimin e një sekreti shtetëror, ndërsa në akuzën ndaj Martin Lekës thotë se “I  pandehuri ka shpifur në këtë artikull, duke pasqyruar në të, të dhëna që dihen së janë të rremë”. Rikthimi në kujtesë i këtyre shkrimeve, i ngjarjeve kulmore të ballafaqimit të medias me shtetin, i betejave me të cilat u ndesh fjala e lirë, dëshmon mbi sfidat shtetërore që ngadhënjeu media dhe përpjekjet që shtypi i lirë bëri për të mbetur një misionare e informimit të pavarur edhe në kohë prangosjesh dhe represioni policor shtetëror.

Albert Vataj

Edi Rama i shkruan Aleksandër Frangajt

“I dashur Aleksandër, ky nuk është vetëm fataliteti ynë, po i gjithë atyre që nuk mjaftohen dot me lirinë që pikon nga biberoni i mamive të PD”

Merr Aleksander Frangaj, Burgu i Tiranës

“Qielli me yje mbi mua, ligji moral brenda meje”
Emanuel Kant

Mik i shtrenjtë; nuk e di çfarë efekti mund të ketë Fjala e Lirë në atë varr ku të ka futur dashuria për të, por jam i sigurt se asgjë tjetër përveç Saj nuk mund ta depërtojë sadopak errësirën skllavëruese të mungesës së lirisë, ku të mban peng prej ditësh tribuja e demokratçikëve. Kësisoj mora guximin të provoj ta shpreh Fjalën e Lirë me shpresë që të të dhuroj ty një dëshmi sado të zbehtë të gjallesës së Saj, ndërsa përdhunuesve të Saj dhe të tutë, një pakënaqësi sa më të madhe që të më jetë e mundur.

Kur rendën për të na u puthisur nga pas në rrugën e çlirimit nga e Keqja, pleqtë liberalë të Shqipërisë si edhe ca të rinj të mplakur nga studimi intensiv i të bukurës në psalmet e Enver Hoxhës kalëruan jo pak mbi sinqeritetin tonë dhe me bilbilat tip “polic trafiku”, të astmës së tyre ideologjike, e frenuan së tepërmi vrapin që kishim marrë. Sytë tanë nuk mund të shihnin asokohe se rrezikun e vërtetë nuk e kishim përpara, por mbrapa, mendjet tona nuk donin ta kuptonin se ata që po i mbanim në kurriz me dëshirën tonë, ishin ata që shumë shpejt do të provonin të na vinin frerin në gojë, zemrat tona nuk dyshonin te tradhtia, sepse ajo skorte pardesysh të bardha nuk na u prezantua si grup i penduar Tradhtarësh të atij Ideali Komunist, që ata vetë e kishin korruptuar moralisht me dyfytyrësinë e tyre, por si grup intelektualësh liberalë, që zgjodhën rrugën e dimensionit njerëzor, për cilën ishin sfilitur duke pompuar zemrën e pavdekshme të Hoxhës dhe paskëtaj fale ekskluzivitetit intelektual që iu dekretoi mëkëmbësi i të ndjerit Hoxha, për të aplikuar një herë në muaj disidencë të arsyeshme në faqet e të përditshmes “Zëri i Popullit” dhe të së përsëdielshmes “Drita”. Askush nga ne nuk e parashihte asokohe që troku ynë nuk do të rreshtëte as përpara murit të policëve me fishekë mësimorë, as përpara ekzibicioneve me urra-h të kadetëve të shkollës ushtarake, as përpara histerisë delirake të antimitingjeve, as përpara Dullës prej bronzi, sepse askush nga ne nuk e parashihte asokohe që hovin e çlirimit nga e Keqja do ta frenonte vetëm astari prej balte i pardesyve të bardha të disidentëve të ditës së diel, si astar i neveritshëm që sot është shtrirë mbi gjithë Shqipërinë, duke na mbuluar e kokolepsur me njëri-tjetrin dhe duke bërë t’i humbi ngjyra jo vetëm Njeriut, por edhe Rrugës, Pemës, Gurit, Murit, Këpucës,…

Me hir a me pahir, karvani i kuajve të lirisë u transformua në karvan pardesysh të bardha. Kush më parë e kush më pas e braktisëm Procesionin Demokratik të Hipokrizisë, duke ikur nga sytë këmbët, duke u fyer, duke u përzënë, duke u goditur, duke u përdhunuar, duke u shkërdhyer pas kurrizit nga Balta e gatuar me dyfytyrësi, pabesi, injorancë, mllef, hakmarrje e me lëndë të tjera të tmerrshme, të prodhuara në errësirat e kompleksit të Inferioritetit. Dhe ja ku u kthyem përsëri aty ku ishim, përsëri me një qerre baltë për të hequr nga kokat tona, përsëri të pushtuar nga Frika e Ringjallur e burgut, e poshtërimit, e bukës së përditshme, përsëri po ata hallexhinj të tre e kusur vjetëve më parë, shqiptare të përulur, që mbushim brekët përpara Arrogancës së pushtetit. A propos, i Pari i vendit merr guximin të ftojë në takim dymijë intelektualë, siç quhen gjithmonë në Shqipëri, ata që kryejnë arsimin e lartë, ose të mesëm dhe ndonjëherë edhe ata që kryejnë natën arsimin tetëvjeçar. Pedagogë, akademikë, shkrimtarë, filozofë, ekonomistë, inxhinierë, ushtarakë, jo vetëm që nuk ndjejnë pikë zori të grumbullohen me të shumtët, siç iu ka hije deleve të urta, por mblidhen e bëhen një grusht nën hijen e kërrabës së bariut, jo vetëm që nuk e gjejë me vend ta pyesin të zotin e kullotës për shkeljen e përditshme të të drejtave të tyre, por edhe ndonjë blegërimë të pakontrolluar, të cilën uria jua shpie në gurmaz, për ndonjë shtim të arsyeshëm të sasisë së barit, i’a dërgojnë me shkrim Kryetarit të Akademisë, që me urtësi kryen detyrën e dashit përçor në krah të bariut. Çfarë vlere kanë dhjetëra e dhjetëra shembuj të tjerë paskëtaj? Dhe Haveli shkruan, -“Intelektuali duhet vazhdimisht të vërë në alarm, të dëshmojë mjerimin e botës, të provokojë me pavarësinë e tij, të rebelohet ndaj të gjitha manipulimeve dhe ndaj të gjitha presioneve të errëta, të jetë ai që i vë parimisht në dyshim sistemet, pushtetet dhe formulat e tyre magjike, të jetë dëshmitar i gënjeshtrave të tyre”.

Edhe ne u bindëm tashmë se Revolucioni vret revolucionarët dhe korrupton idealet, ashtu siç e pamë me sytë tanë, që revolucioni është një farsë që nuk e zgjidh problemin. Kësisoj edhe pse kemi shumë pak gjasa që të ndikojmë në favor të së Vërtetës me Fjalën e Lire, pushteti i Saj, i afirmuar në luftën me Gënjeshtrën e Vjetër, nuk duhet kurrsesi t’iu jepet sirenave të gënjeshtrave të reja, të cilat duke qenë të ambalazhuara më me marifet janë edhe më keqbërëse.

Dëshira e të gjithë njerëzve të ndershëm për të sjellë në Shqipëri pushtetin e Fjalës së Lirë u manipulua shumë shpejt, duke u kthyer në armë për të marrë pushtetin përmes fjalëve boshe. Pasi i lyen pardesytë me miell si në përrallën e ujkut dhe kecave mendjelehtë, tamam kur e panë që Ferrës së komunizmit ia dha uratën edhe vetë mëkëmbësi i Hoxhës, Intelektualët e së Dielës ngritën mbi qindramijërat e të lodhurve dhe të eturve për liri, një mjegull demagogjie diskredituese për Idealin e Dhjetorit. Falë marrëdhënieve cinike që vendosën me turmën fatkeqe, Pardesytë e Bardha erdhën në pushtet dhe eliminuan të gjithë ata që mendonin ndryshe. Logjika inekzistente e Rrugës ushqehej me demagogji dhe në këmbim të drogës së ëmbël të premtimeve që merrte kursim, Rruga i jepte në përdorim Intelektualëve të së Dielës protezën e saj të tmerrshme, e cila përpiu edhe njëherë Arsyen në emër të Popullit.

Pra miku im, mjaftojnë edhe fjalët boshe kur është puna për të nxitur forca të papërgjegjshme në emër të çmimit të bukës dhe për të tërhequr mijëra të tjerë në atë farë psikologjie destruktive, por siç ti e di më mirë se unë, zgjidhjet revolucionare janë vetëm rrethrrotullime të tombolës, ku pushteti kalon nga një grup sharlatanësh te grup tjetër sharlatanësh. Larg qoftë një tjetër Revolucion Demokratik!

Duke u rikthyer te gjasat e pakta të mishërimit të ideve dhe Fjalës sonë, e cila frymëzohet nga Qytetërimi Modern dhe jo nga Thirrja e të Parëve, kam përshtypjen se pakkush në këtë vend të bekuar, e ka kuptuar që Problemi nuk është t’i bashkojmë me çdo mjet njerëzit nën një flamur në emër të Atdheut, Partisë, Demokracisë, por të dalim nga kriza që është Krizë e Esencës, e cila assesi nuk mund të evitohet nëpërmjet përgjigjeve që përgatiten nga Lart, nëpërmjet populizmit, nëpërmjet vokacionit reaksionar që nxitoi ta mbyllë grykën e Pusit të Zi shqiptar, sapo erdhi në pushtet, do të krijojë konfrontime fiktive forcash politike. Kjo krizë do të vazhdojë të thellohet, nëse nuk do të bëjmë dot që unainimisht të pranohet ekzistenca e saj.

Alternativa e vetme intelektuale ka qenë dhe mbetet Politika Antipolitike, Revolucioni Ekzistencial me divizën – “Të vetmuar dhe solidarë”. Në thelbin e tij, ky revolucion nuk është diçka që një zot i ri do të na ofrojë, por një mënyrë tjetër jetese, diçka që çdo njeri e ka përpara vetes, në çdo çast. Mund të bëjmë diçka dhe duhet ta bëjmë, këtu dhe tani. Askush nuk do ta bëjë për ne, askënd nuk mund të presim. Totalitarizmi ka vetëm një antagonist të vërtetë, Njeriun e Lirë, individin e papërsëritshëm, të vetëm, të paskematizueshëm, të paezaurueshëm në përkatësitë e një grupi, partie, klase, kombi, feje, interesi. Për sa më lart, fjala “Njeri” ka një domethënie të saktë: Mundësinë.

Inercia e terrorit të Partisë së Punës dhe presioni gjithnjë e më brutal i Partisë Demokratike, mbi Individin e Lirë, kanë bërë që e quajtura nxitimthi, Demokraci, të degjenerojë drejt monopolizimit të së vërtetës nga makina e partisë -shtet në luftë tribale me dy-tri forca të tjera politike. Në këtë mënyrë përgjegjësia individuale shkurajohet përditë, duke bërë që Shqipëria të ngjajë gjithnjë e më shumë me një Liban Ideologjik. Jo për detyrë karshi popullit apo atdheut, por vetëm për respekt ndaj Fjalës “Njeri” ne duhet ta vazhdojmë harakirin, sepse ndoshta vetëm duke e ngulur thellë shpatën e së Vërtetës mbi trupin tonë, do të mund t’i japim Fjalës së Lirë një pushtet të pacenueshëm, do të mund të shtohemi, do të mund të sjellim edhe në realitetin hipokrit shqiptar ditën e largët, kur njerëzit të heqin nga supet Kokën e Partisë dhe të përdorin të tyren. Të vetmuar dhe solidarë, sepse vetëm një Individ Autonom mund të njohë me anë të autonomisë së tij; Dinjitet, Përgjegjësi, Motive. E mbrojtur prej tij, Drejtësia ruan Lirinë dhe sjell, Prosperitetin, pa të cilin konceptet e atdhedashurisë, patriotizmit, pavarësisë, mbetën kuaj beteje për demagogët primitivë.

Po kujt i duhet Teoria e Fjalës së Lirë? Praktika është kriteri i të vërtetës, dhe këtë nuk e them unë, këtë e kanë thënë të gjitha pardesytë kur jepnin provimet e kualifikimit pasuniversitar, këtë e ka stërthënë edhe vetë kryetari i demokratëve, bile pa ia kërkuar kërkosh. Pra, në teori shtypi është i lirë, por i mbetet Praktikës Revolucionare t’i caktojë kriteret, prandaj ndërkohë që mijëra gazetarë evropianë (duhet të ketë edhe plot marksistë mes tyre), shqetësohen për burgimin e dy gazetarëve, plot si vëllezër të tyre në Shqipëri kënaqen duke luajtur rolin e Palaços së Oborrit, që fut kunja për të gudulisur sedrën e Mbretit. Si ta kuptojnë shkarashkruesit e Baltës se në burg është futur një Njeri që përpara se të quhet Aleksandër Frangaj është Gazetari, i cili punon në një shtet që prezumohet i lirë?! Sidoqoftë duhen falur, edhe pse po i ushqejnë fëmijët e tyre me bukën e hidhur të Gënjeshtrës, ashtu siç duhen falur edhe ata që të kanë futur ty në burg, jo vetëm sepse në kokat e tyre në vend të mendimeve ka vetëm një tru prej astari pardesysh të bardha, por edhe sepse burgimi yt na ndihmon të gjithëve t’i shpëtojmë iluzioneve se ky shtet mund të ndikohet nga e Vërteta në rrugën e mbrapshtë ku ka hyrë. Duke të mbyllur ty në errësirën e burgut, shteti i demokratçikëve mbylli portën e të nesërmes së tij.

Në fund të fundit Aleksandër, jeta jote i ngjan përherë e më fatalisht paragrafit të famshëm të Kazanzaqisit, ku njeri pyet. “Trupi është një anije të cilën e pret vetëm një liman: Shkatërrimi. Atëherë përse të luftoj?”, ndërsa tjetri përgjigjet, “Mos pyet, lufto”. Ky nuk është vetëm fataliteti yt, por i të gjithë atyre, të cilëve nuk iu mjafton liria që pikon nga biberoni i mamive të Partisë Demokratike.

Ndërsa të shkruaj, një i papërmbajtur gaz më sjell ndërmend diçka tjetër që duhet ta marrin vesh edhe ithtarët e shumtë të Lek Dukagjinit në radhët e Partisë. Them ta marrin vesh, se mirë Marksin e kanë lexuar përmes citateve të Hoxhës, po të paktën Lekës t’i kishin hequr një lexim diagonal dhe të mos ishin mjaftuar me ato që iu ka tregu baba, sepse dihet, baba edhe rren. Intolerant intolerant, por këtë që po të bëjnë ty dhe Martinit këta të tijtë, vetë Leka nuk do t’jua kishte bërë kurrë. E ka shkruar në Kanun, “Lajmësi nuk ka faj”. Mirë që s’është gjallë plaku kokëshkëmb i Dukagjinit, se do ta kishin zhveshur dhe përjashtuar nga PD-ja si kriptobaba!

Kaloji ca orë të vetmisë duke imagjinuar se çfarë lufte do të bëhej kur ta akuzonin edhe vetë Lekë Dukagjinin, si element të bllokut të majtë ekstremist Anti p-d! Vallë po shkojmë në rrugët e Evropës apo po mbytemi në pellgun e Folklorit? Si t’i bindësh prijësit shqiptarë se nuk është e rëndësishme ta sundosh popullin tënd, por të bësh që mbi popullin tënd të sundojë Drejtësia?

Po të dëgjosh çfarë thotë Koka Zyrtare e kulturës, i përndershmi Anagnosti, fajin e ka primitivizmi ballkanik. Dhe nuk e ka keq ministri ynë, sepse ai vetë, Lëvore e mbetur e megalomanisë napoleonike mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rri i ndryrë në tendën e mbingarkuar me kopje të mëdha e të vogla të flamurit kombëtar dhe publikisht, me zë, pa e pyetur njeri, nxjerr në formë opinionesh nga koraca e vet Kamzhikun e Moralit (një tufë silogjizmash ekstravagante në majë të shkopit të Arsyes Primitive) duke goditur me një prepotencë mizëvrasëse, që do të zilepste çdo provincial të dalë mode, Amoralitetin e njerëzve të caktuar të artit, të cilët kanë pasur fatkeqësinë të mos i mbyllin dot veshët dhe sytë përpara zhvillimit në formë groteske të aktivitetit dhe personalitetit të tij politik.

I përndershmi ministër as nuk e ka idenë që në atë tendë artistët amoralë nuk shkojnë për të admiruar njëqindepesëdhjetetre centimetrat e Lëvores së Tij, por të interesuar për të ngritur probleme Impersonale që nuk kanë të bëjnë me Personin, po me instancën që ai përfaqëson, ndërkohë që Va- terloja vazhdon në kulturën shqiptare dhe rrënon përditë kujtesën figurative të kombit tonë, duke përpirë statuja dhe ikona. Sidoqoftë, po të dëgjosh Kokën e Nderit të kulturës shqiptare, Ismail Kadarenë, duhet pranuar se ne nuk bëjmë tjetër përpos nxirjes së realitetit dhe duhet besuar pa bërë zë fraza e tij lapidaro-konstruktive mbi kohën që po jetojmë, frazë të cilën shkrimtari i shquar ia la amanet inteligjencies para fluturimit më të freskët për Paris. “Kjo është një kohë e mbarë”, tha Kadareja dhe pastaj i dha asaj Bekimin, duke u kujdesur të ripërsërisë edhe dekalogun e tij ku spikasin porositë, “Mos thuaj gjysmë fjale për mua”, “Mos kritiko të parin e shtetit”, “Mos lër gjë pa thënë për kundërshtarët e mi”…

Më duket se letrës time po i afrohet fundi mik i dashur. E lashë për në fund një kujtim të shkurtër të Frensis Bekonit, sepse kam ndjesinë që do të më ndihmojë ta mbyll këtë sorollatje të gjatë pseudointelektuale, ku u mundova mbi të gjitha, mos të të shtoj mërzinë. “Qeshë vetëm 17 vjeç kur pashë një mut qeni”, kujton me qesëndi rebeli i palodhur, “dhe mendova, ja kështu jemi të gjithë”. Ky konstatim i mbetur në kujtesën e gjeniut mund të interpretohet gjithsesi. Interpretimi im modest është që njeriu nuk mund t’i bëjë asnjë sfidë realitetit mizerabël të gjërave, nëse nuk ka bindjen se dekompozimin mundet vetëm ta luftosh, por jo ta mundësh. Pikërisht te Lufta e Pandërprerë qëndron triumfi i intelektualit mbi të Pamundurën. Ja pse ti je sot një Intelektual Fitimtar, miku im.

Në pritje që të takohemi andej nga ty ose ndoshta këtej nga ne,

Të përqafoj Edi Rama,
Tiranë, 13.02-1994.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit