Home Magazine Erla pa barri...

Erla pa barriera, bruto… ashtu siç është/ Sonte nis rrugëtimin në ekranin e Euronews

8
0

Ditët e fushatës elektorale për zgjedhjet 2021 e sollën (kryesisht) në ekranin e Euronews, në panelet e diskutimeve të gjata politike. Ishte si një fillim i ri për të, jo në politikë, e as në analizat mbi të, sepse formimi i saj pas studimeve për komunikim (edhe politik) ka vijuar ndër vite në institucione të rëndësishme qeveritare e politikëbërëse.

Pozicionimi si një analiste e pavarur e vuri në start të ri, për të thënë me zë e me figurë gjithë çfarë ajo mendon e gjykon mbi ngjarjet e vazhdueshme politike, e pandikuar nga asgjë e nga askush, veç vetes së saj.

E siç dhe e paralajmëroi në statusin e saj të parë, ky angazhim do të ishte thjesht prologu i hapjes së një kapitulli kryekëput të ri, shumë më të rëndësishëm për Erla Mëhillin: nisjen e një emisioni të përjavshëm, të drejtuar nga vetë ajo.

Tashmë po bëhet fakt. Pikërisht sot në mbrëmje, në orën 21.00, në ekranin e Euronews Albania nis “Raw Politics”, për të vijuar edhe të enjten.

Ky do të jetë periodiku, dy herë në javë, pra të hënë dhe të enjten mbrëma, kur Erla do të mbledhë në panele analistë të fushave të ndryshme për të diskutuar çështjet politike ose jo, të vendit e rajonit.

U zgjodh “Raw Politics” (Politikë e Papërpunuar), një ndër patentat më interesante të Euronews Group, për këtë pozicionim të ri të Erla Mëhillit në ekranin televiziv, që do ta sjellë politikën ashtu bruto siç është në terren e realitetin e përditshëm, të paredaktuar, të pamontuar e të papërpunuar. I tillë nisi të shfaqej mendimi e analiza e saj, që në ato ditët e para të diskutimeve në panelet e zgjedhjeve e i tillë do të vijojë të shpaloset edhe ndërsa tashmë do të jetë jo vetëm analiste por dhe drejtuese e paneleve, në emisionin e saj të parë televiziv, në Euronews Albania, në ekranin ku përmblidhen të gjitha këndvështrimet. Tashmë edhe ato të Erlës dhe të gjithë analistëve, që do të jenë mbështetës apo kundërshtarë të mendimit të saj.

 

 

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit