Home Forum Firma e Bashë...

Firma e Bashës, ja pse rrezikon PD rregjistrimin në zgjedhje

677
0

Editorial nga LEONARD KARAJ

Partia Demokratike rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në zgjedhjet e 14 majit. Nuk është një ide hipotetike, por fakt sa juridik, po aq edhe politik, që mund të lërë forcën më të madhe opozitare jashtë vendoreve. Një gjë e tillë mund të ndodhë në rast se më 3 mars, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, rrëzon vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës, dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri, për regjistrimin e vendimeve/ akteve të dala nga Kuvendi i PD-së së Rithemelimit më 11 dhjetor 2021.

Nëse Apeli e rikthen çështjen për rishtyrim në Shkallë të Parë, ose i jep të drejtë apelimit të bërë nga PD-ja e ashtuquajtur “zyrtare”, atëherë kjo forcë politike mbetet nën drejtimin de fakto të dyshes Alibeaj-Bardhi dhe de jure të Lulzim Bashës. Në një skenar të tillë, mëse të mundshëm, për gjykimin tim, nisur nga apelimi që ka bërë grupi i Aliabejt dhe kundër-apelimi i Rithemelimit, Partia Demokratike rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore. Duket paradoksale por, shkak bëhet firma e Lulzim Bashës.

Ky i fundit ka dhënë publikisht dorëheqjen nga drejtimi i PD-së që prej 23 marsit të vitit të shkuar, duke i deleguar nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, drejtimin e partisë, z.Alibeaj. Në fakt edhe ky delegim kompetencash ha shumë debat, pasi së pari komandimi si akt është me afat kohor, zakonisht deri në 6 muaj, ndërkohë që kanë kaluar më shumë se 10 të tillë dhe z.Alibeaj është në shkelje të këtij akti.

Së dyti, se ky komandim duhej të bëhej detyrimisht sipas statutit, me votë në Këshillin Kombëtar, edhe pse kishim të bënim me vetëm një kandidat, siç justifikohet mos-votimi në këshill nga z.Bardhi & CO. Pra, edhe kalimi i kompetencave nga z.Basha si kryetar i dorëhequr tek z.Alibeaj, nëpërmjet z.Bardhi si Sekretetar i Përgjithshëm, është një vendim lehtësisht i atakueshëm jo thejsht politikisht, por sidomos juridikisht, pasi nuk janë ndjekur procedurat, qofshin këto edhe formalisht (Këshilli Kombëtar mund ta votonte z.Alibeaj në unanimitet si Kryetar në detyrë, por mund edhe të votonte në shumicë kundër….).

Megjithatë, sot në Gjykatë si kryetar i PD-së njhet z.Basha, i cili do duhej të ishte zëvendësuar për shkak të dorëheqjes që ai dha publikisht, nga kryetari i ri, që duhej të kishte dalë tashmë nga zgjedhjet që PD-ja (po marrim të mirëqenë në një moment sikur ka vetëm një PD, ajo zyrtare), do duhej të kishte zhvilluar prej kohësh (minimalisht brenda vitit 2022). Pra, që të kuptohemi: heqja e emrit të z.Basha nga rregjistri i partive politike si kryetar i PD-së nuk mund të bëhet apriori, ose vetëm me vullnetin e tij. Edhe pse ai ka dhënë publikisht dorëheqjen, heqja e emrit vjen vetëm në momentin kur zgjidhet juridikisht kryetari i ri. Kjo ndodh për shkak të statutit që ka PD-ja, ku kryetari zgjidhjet me një antar një votë. Pra edhe sikur të dorëhiqet, kryetari, rri në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri ose nuk pranon, kompetencat i kalojnë një nga nënkryetarët, që votohet në Këshillin Kombëtar, i cili ka për detyrë që brenda një harku kohor të shkurtër, të mbajë zgjedhje në parti, për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Në këto kushte, detyrën e kryetari sot e ushtron vërtet si i komandur z.Alibeaj, por KQZ-ja njeh si kryetar de jure vetëm z.Basha. Për këtë arsye që kandidatët e Partisë Demokratike të mund të marrin të drejtën për të kandiduar në zgjedhjet vendore të 14 majit, do duhet absolutisht që formulari të firmoset nga kryetari de jure, z.Basha. Ligji nuk lejon delegimin e firmës në të tilla raste, ndaj edhe sikur të dojë, z.Basha nuk i delegon dot firmën z.Alibeaj, që ky i fundit të mund të firmosë formularët, për secilin kandidat të PD-së zyrtare. Ky është fakt juridik i pakundërshtueshëm.

Në këto kushte, z.Basha, do duhet të shkelë mbi moralin e tij dhe atë politik, duke qenë se ka dhënë dorëheqjen qartazi, me zë dhe figurë, dhe të pranojë të firmosë formularët e kandidatëve për zgjedhjet lokale, gjithnjë në rast se më 3 mars, Apeli rrëzon vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në rast të kundërt, nëse Basha do të refuzonte, PD-ja nuk do të futej dot në zgjedhje, pasi firma e Alibeajt, në këtë rast si Kryetar i Komanduar, nuk vlen.

Me pak fjalë 3 marsi vendos të ardhmen reale të opozitës. Nëse Apeli lë në fuqi vendimin e gjyqtarit Zhukri, atëherë PD-ja i mbetet Berishës dhe Basha kapitullon edhe juridikisht. Nëse Apeli rrëzon vendimin, PD-ja i kalon Bashës dhe ky i fundit do duhet të tregojë nëse dorëheqja e tij ka qenë e moralshme, etike dhe e vërtetë, atëherë nuk do të firmoste formularët për kandidatët e PD-së, apo do tregojë se është njëlloj sikundër “hafijet-politikanë” që kemi parë në këto 30 vjet.

Në një skenar të tillë, PD-së së Rithemelimit nuk do ti mbetej gjë tjetër veçse të futej në zgjedhje me një sigël dhe vulë të re, e cila sipas të gjitha gjasave do të krijohet falë një koalicioni të të gjitha forcave të djathta opozitare, përfshi këtu edhe Partinë e Lirisë. Kështu që, ashtu sikundër më 6 marsin e 2022, opozita me gjasa do të shkojë me “dy koka” në zgjedhjet e 14 majit, të cilat pritet të ndajnë një herë e mirë edhe debatin se kush është shumicë brenda PD-së, Basha apo Berisha. Por ama në të gjitha rastet, i fituar është…. Rama.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit