Moti i keq gati sa nuk ju rrezikoi jetën dy shtetasve, një shqiptar dhe një italian, në mesnatën e kaluar. Por shpëtimi i tyre është bërë nga forcat Detare.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur teksa Bledar Zini Janushaj, nga Vlora dhe Atilo Giuzepe Dibello nga Italia, ishin në një gomone në një distancë rreth 5 milje në veriperëndim të ishullit të Sazanit.
Ata ishim nisur nga brigjet italiane në drejtim të Shqipërisë me gomone, por pranë Sazanit kanë qenë në vështirësi për t’u mbytur dhe menjëherë kanë kërkuar ndihmë.
Rreth orës 21:10 të mbrëmjes së kaluar, Fora Detare janë njoftuar për rastin nga Policia e Vlorës dhe nxorën menjëherë në operacion shpëtimi anijen e gatshme të rojës bregdetare “Mati”.
Mësohet se në orën 22:50 anija “Mati” arriti të gjejë e lokalizoj skafin, ndërsa ka kryer disa herë manovra për të bërë të mundur tërheqjen e skafit, por për shkak të motit tepër të rënduar është këputur cima.
Personat në bordin e skafit njoftuan se skafi po merrte ujë dhe si rrjedhojë rrezikonin jetën në mjet. Në orën 00:35 është bërë i mundur imbarkimi i personave në bordin e Anijes “Mati”.
Fatmirësisht gjendja shëndetësore e dy shtetasve është e mirë. Dy personat u shoqëruan drejt Triportit, ndërsa skafi u mbyt afërsisht 2,2 milje në veriperëndim të Sazanit.