Home Aktualitet Fushata e riz...

Fushata e rizgjedhjes së Von der Leyen në BE

56
0

Ursula von der Leyen dëshiron të sigurojë mandatin e dytë si presidente e Komisionit Evropian. Në fushatën e saj ajo duhet të balancojë mes asaj që e konsideron të rëndësishme dhe interesave të partive që e mbështesin.

Një grup i vogël protestuesish e pret Ursula von der Leyenpërpara një eventi elektoral në Romë. Ndërsa makina e saj mbërrin, ata thërrasin “Liri Palestinës! Ndaloni gjenocidin!”, të zemëruar me atë, që ata e shohin si njëanshmëri të von der Leyen-it ndaj Izraelit.

Si Presidente e Komisionit Evropian, ekzekutivit të Bashkimit Evropian (BE), von der Leyen shkoi në Tel Aviv në tetor 2023 për të ofruar mbështetjen e pakushtëzuar të BE për Izraelin në luftën kundër Hamasit. Më vonë ajo u kritikua nga disa shtete anëtare dhe diplomatë të BE për gjoja mospërfaqësimin e vlerave të BE si të tërë.

Brenda ndërtesës në qendër të Romës një turmë më miqësore e mirëpret atë me duartrokitje. Të rinjtë, që janë mbledhur këtu, shumica prej tyre burra të veshur me kostume blu, janë anëtarë apo mbështetës të Forza Italia.

Çfarë nevojitet për të qenë një udhëheqës i fortë?

Forza Italia është një nga partitë, që formojnë aleancën e qendrës së djathtë në BE, e cila ka zgjedhur von der Leyen-in si kandidaten kryesore për zgjedhjet evropiane në fillim të qershorit.

Në Romë von der Leyen-i. flet për vendosmërinë e saj për të vazhduar punën për një Evropë më të fortë dhe më të begatë. Një nga gratë e pakta në audiencë dëshiron të dijë, se çfarë i duhet një gruaje për të qenë një udhëheqëse e fortë.

Von der Leyen-i, nënë e shtatë fëmijëve dhe gjyshe, përgjigjet me buzëqeshje: “Duhet të besosh në veten tënde”. “Isha e ndrojtur”, thotë ajo, “kisha shumë dyshime. Sot do të thoja se kam humbur mundësira”. Von der Leyen-i më pas vazhdon të flasë, se sa e rëndësishme është të ndërlidhen puna dhe familja: “Mos i lini të tjerët t’ju gjykojnë! Dhe duhet të keni një rrjet të fortë grash.”

Ursula von der Leyen, gruaja më e fuqishme në botë?

Shumë në sallë vlerësojnë bilancin e saj si presidente e Komisionit Evropian, duke përfshirë përpjekjet e suksesshme në prokurimin e vaksinave në emër të Bashkimit Evropian gjatë pandemisë së koronavirusit, apo udhëheqjen e saj në kuadrin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Von der Leyen është përshkruar nga mediat ndërkombëtare si “menaxherja ‘par excellence# e krizës në Evropë” dhe gruaja më e fuqishme në botë. Asaj i pëlqen ta prezantojë veten si garanci, të aftë të udhëheqë BE në kohë të trazuara. Megjithatë fushata për rizgjedhjen e saj është një akt i vështirë balancues.

Von der Leyen-it i pëlqen të bëjë fushatë, të flasë sidomos me të rinjtë, thonë për DW burime nga ekipi i fushatës së saj. Sipas tyre ajo dëshiron të angazhohet dhe të bindë të rinjtë, se Evropa ka shumë fuqi.

Fushatë me bekimin e partive politike

Në Romë një diskutim i planifikuar në një universitet anulohet, sepse Forza Italia dëshiron që von der Leyen të ketë një takim me fermerët dhe synimet klimatike të Evropës. Në fund të fundit ajo bën fushatë me bekimin e partive politike në gjithë Evropën, të cilat mbështesin kandidaturën e saj.

Për dikë si Ursula von der Leyen, e cila nuk është nga ata që improvizojnë dhe që njihet për preferencën për të patur gjithçka në rregull të plotë, kjo mund ta bëjë nganjëherë sfiduese fushatën. Por qëllimi kryesor i von der Leyen-it është të sigurojë, që partitë, të cilat formojnë familjen e saj politike, Partinë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, të dalin forca më e fuqishme pas zgjedhjeve evropiane.

Një rezultat i tillë, i pritshëm, do ta bënte von der Leyen-in favoriten për të mbetur në krye të ekzekutivit të BE. Por edhe atëherë asaj i nevojitet edhe mbështetja e 27 liderëve të shteteve anëtare të BE dhe një shumicë e parlamentit të ri evropian.

Pra fushata është sfiduese për von der Leyen-in. Shqetësimi i saj kryesor është të fitojë shumë njerëz për momentin – të paktën derisa të ketë arritur të sigurojë emërimin e saj të dytë në detyrë.

DW

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit