Home KRYESORE Gjermani: Rre...

Gjermani: Rrezik më i madh për atentat se prej shumë kohësh

232
0

Lufta në Lindjen e Mesme po ndikon edhe në situatën e sigurisë në Gjermani. Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës paralajmëron për rrezikun e sulmeve nga islamistë të radikalizuar.

Sulmi vdekjeprurës i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe përgjigja ushtarake e Izraelit ndaj këtij sulmi zgjojnë emocione dhe mobilizojnë mijëra njerëz edhe në Gjermani. Një valë e paprecedentë e antisemitizmit e shpreh këtë në mënyrë tronditëse, ashtu si edhe sulmet kundër jetës hebreje në Gjermani. Zhvillimi i situatës së sigurisë në Gjermani varet kryesisht nga zhvillimi i situatës në Lindjen e Mesme.

Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Thomas Haldenwang, shpreh shqetësimin e autoriteteve gjermane të sigurisë për sulmet me motive islamike në veçanti. “Rreziku është real dhe më i madh se sa ka qenë për një kohë të gjatë,” u shpreh Haldewang me fjalë të pazakonta të qarta.

Al Kaeda dhe ISIS në qendër të vëmendjes

Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës është veçanërisht e shqetësuar për aktivitetet e organizatave të njohura terroriste islamike Al Kaeda dhe “Shteti Islamik”. Asnjëra nga organizatat nuk ka ndonjë lidhje me Hamasin. Megjithatë, tani po shfaqet një cilësi e re, paralajmëron Haldenwangu: “Ne shohim në spektrin xhihadist thirrje për sulme dhe një ‘lidhje’ të Al-Kaedës dhe ISIS me konfliktin në Lindjen e Mesme.”

Konkretisht, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës ka frikë se individët në veçanti mund të radikalizohen deri në atë pikë sa të mund të sulmojnë të ashtuquajturat objektiva “të buta”, siç janë demonstratat publike në qiell të hapur, me mjete të thjeshta, si p.sh. thika ose automjete. “Ne po punojmë shumë për të penguar planet e mundshme kundër sigurisë së hebrenjve, institucioneve izraelite, por edhe protestave të mëdha,” tha Haldenwang.

Presidenti i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk i përmendi shprehimisht tregjet e Krishtlindjeve, por është e qartë se këto lloj ngjarjesh që kërkojnë vëmendjen e autoriteteve gjermane të sigurisë.

Arrestim i dy të rinjve ditën e martë

Të martën, policia veproi në Brandenburg dhe Rinin Verior-Vestfalinë: atje, një 16-vjeçar dhe një 15-vjeçar kishin rënë dakord në një forum radikal islamik për të kryer një sulm kundër një sinagoge ose një tregu Krishtlindjesh. Nuk është e sigurt që kjo do të kishte ndodhur, por policia vendosi të ndërhyjë me shpejtësi në kuadër të masës parandaluese të sigurisë.

Në fillim të tetorit, në Duisburg u arrestua një terrorist islamik i njohur prej kohësh nga autoritetet e sigurisë. Ai kishte udhëtuar në të ashtuquajturin Shteti Islamik, për të cilin kishte vuajtur një dënim prej disa vitesh burg në Gjermani pas kthimit të tij. Ai dyshohet se kishte planifikuar një sulm kundër një aktiviteti pro-izraelit dhe ndodhet në paraburgim.

M.Götschenberg/H.Schmidt (ARD,SWR)

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit