Home KRYESORE Hapet në Kuço...

Hapet në Kuçovë baza ajrore e NATO-s, Kryeministri Rama: I jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike

621
0

Në Shqipëri, nga dita e sotme, baza ajrore e Nato-s në Kuçovë është në funksion të plotë. E ndërtuar në vitet ’50, duke strehuar dhjetra avionë ushtarakë, fillimisht të prodhimit sovjektik e më pas kinezë, baza e cila prej vitesh ishte e papërdorshme, u rikonstruktua falë një investimi prej më shumë se 50 milionë eurosh të Nato-s, dhe 5 milionë të tjera të qeverisë shqiptare, për të qenë një bazë taktike dhe operacionale e Aleancës.

Për inaugurimin e bazës, sot në Kuçovë, u organizua një ceremoni e posaçme me praninë e atoriteteve më të larta të vendit, ministrave të Mbrojtjes të disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimorë, dhe të Italisë, si dhe përfaqësuesë të Aleancës, mes të cilëve Gjeneral Lejtnant Pablo Sánchez de Lara, komandanti i Qendrës së operacioneve ajrore të kombinuara të NATO-s, në bazën ajrore të Spanjës.

Kjo bazë do të luajë një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i Aleancës, njëkohësisht edhe rritjes së aftësive tona të mbrojtjes kolektive, duke promovuar ndërveprimin midis forcave aleate dhe duke mundësuar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj çdo sfide që mund të lindë. Gjithashtu baza ajrore Kuçovë, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës, patrullimin e hapësirës ajrore, mbështetjen logjistike si kapacitet i vendit pritës apo edhe për qëllime e situata të tjera”, shpjegoi gjatë fjalës së tij Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Gjeneralmajor Arben Kingji.

Dy avionë amerikanë F-16 fluturuan sot mbi bazën e Kuçovës, ndërsa dy Eurofighater italianë, ishin të parë avionë të Nato-s që u ulën në pistën e saj.

Për presidentin Bajram Begaj “Nato, nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar”.

Edhe kryeministri Edi Rama vuri në dukje se baza taktike e Nato-s, ka “një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.

Baza e Kuçovës do jetë dhe qendra kryesore për forcat ajrore shqiptare, flota e së cilës pritet të pasurohet me helikopterë të tjerë amerikanë Black Hawk, apo dhe dronët Bayraktar, të blerë në Turqi, të cilët u ngritën sot për herë të parë nga kjo bazë.

Në ceremoni përshendeti kryeministri Rama, kryeparlamentara Nikolla dhe presidenti Begaj si dhe nga qarqet drejtuese të NATO-s.

Ndërkohë radio “Europa e Lirë” shkruan si me poshtë:”

Në Kuçovë të Shqipërisë më 4 mars u përuruar baza ajrore taktike e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, tha se baza në Kuçovë do të jetë një pikë strategjike në mbrojtjen e paqes dhe operacioneve të NATO-s.

“Gjithçka pritet nga fronti i lindjes. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur të mbrohemi me të vetmen formulë fituese në tavolinë: bashkimin e forcave dhe kapaciteteve tona mbrojtëse”, tha Peleshi.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e Shqipërisë, shtetit anëtar të NATO-s, që të vë në dispozicion të aleancës ushtarake perëndimore edhe portin në Durrës, Porto Romando, që siç tha Peleshi, së bashku me “Korridorin 8”, i siguron aleancës aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Detit Adriatik në Detin e Zi.

Ndërkaq, kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se po punohet me aleancën që sa më shpejt të bëhet gati edhe baza e re detare e NATO-s në Porto Romano.

Sipas presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në situatën globale, që ai tha se është e paqëndrueshme, vendi duhet të jetë i gatshëm të mbrojë veten dhe të kontribuojë për aleancën.

“Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme”, tha presidenti Begaj.

Në ceremoninë inauguruese morën pjesë përfaqësues të aleancës, ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe Italisë, përfaqësues të Ambasadës amerikane në Tiranë dhe ata të institucioneve shqiptare.

Përurimin e kësaj baze e mirëpriti edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se kjo bazë e NATO-s do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Punimet për rikonstruksionin e bazës në Kuçovë nisën në janar të vitit 2022. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare.

Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeostrategjik të vendit, si dhe të vetë aeroportit të Tiranës, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950.

Pak ditë para inaugurimit, në këtë bazë u dërguan edhe tre dronët Bayraktar, që Shqipëria ka blerë nga Turqia.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit