Home Editorial Ilir Meta e k...

Ilir Meta e kaloi vijën e kuqe!

3318
0

(Ky editorial shikohet më i plotë si video ndaj kliko)

SPAK mori sot mbështetje totale nga ambasada amerikane dhe ambasada britanike. Dhe nga ambasadat e tjera. Sepse Ilir Meta ka sulmuar egër shefin  e SPAK, Altin Dumani.

Statura e një ish-presidenti, ish-kryeparlamentari dhe ish-kryeministri nuk ia lejonte kurrsesi një fjalor të tillë denigrues dhe fyes ndaj Altin Dumanit. Ndaj askujt dhe aq me tepër ndaj atij që po heton nuk lejohet ky fjalor.

Ilir Meta mund të ketë gjithë të drejtën e Zotit të kritikojë apo sulmojë me fakte dhe argumenta, nëse i ka, se Altin Dumani po përdoret politikisht apo nga nderkombetarët, por në asnjë mënyrë me sharje të tilla sepse i bëjnë dëm vetë Ilir Metës.

Ilir Meta nuk është më i akuzuari i këtyre 33 viteve, siç thotë mazhoranca, sepse ka para tij edhe të tjerë më të fuqishëm politikisht. Por Ilir Meta dje dhe sot kaloi caqet e tij të një politikani që ka qenë protoganist në Shqipëri.

Si një reagim direkt kundër Ilir Metes ishin dy deklaratat e dy ambasadave më të fuqishme në Tirane, ajo amerikane dhe ajo britanike.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar menjëherë përmes një postimi në platformën X, ku shprehet se mbështet dënimin që KPL u bëri këtyre sulmeve dhe shprehet se qëndron krahë profesionistëve të drejtësisë që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve.

Ndërsa ambasada e Britanise se Madhe ishte me konkrete, direkt sapo Ilir Meta sulmoi Altin Dumanin.

Me sa duket do të kemi re të zeza mbi selinë e Partise së Lirisë, ndonëse rrufetë duhet të bien edhe diku tjetër në PS!

Sot Ilir Meta kaloi çdo vijë të kuqe dhe çdo limit që duhet të ketë një politikan karriere. Altin Dumani mbetet më i votuari nga publiku shqiptar dhe ka mbështetje popullore bashkë me prokurorët e SPAK.

Ja dhe kronika nga “Zëri i Amerikës”:

Ambasada amerikane në Tiranë dhe Delegacioni i Bashkimit europian, si dhe ambasada britanike, i dolën të mërkurën në krah Prokurorisë së Posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e drejtuesit të saj Altin Dumani, pas sulmeve të përsëritura kundër tyre, ditët e fundit, nga ish presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Edhe sot gjatë një konference për shtyp, zoti Meta e akuzoi zotin Dumani si “zëdhënës politik të partisë së Rilindjes”, dhe se sipas tij hapi çështjen “ÇEZ-DIA në dhjetor 2019 me urdhër të Edi Ramës dhe McGonigal-it. Dhe në kulmin e luftës, për të mbrojtur Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese”. Po ashtu sipas zotit Meta, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme po bën përpjekje për ta arrestuar atë, “po Ilir Meta nga burgu, do ta shpërbëjë atë celulë kriminale që është atje”, deklaroi kryetari i Partisë së Lirisë, ndërsa përdori një fjalor ofendues ndaj zotit Dumani.

Pothuajse më të njejtat tone të ashpra e kërcënuese, dhe epitete fyese, ai kishte folur dhe një ditë më parë. Zoti Meta bëhet kështu politikani i dytë i rëndësishëm që sulmon Prokurorinë e Posaçme, e cila prej një kohe të gjatë është në shënjestër të akuzave dhe të ish kryeministrit Sali Berisha, i gjendur në arrest shtëpie që prej muajit dhjetor. Zoti Berisha është nën hetim, nën dyshimet për korrupsion, për procedurat e ndjekura për privatizimin e ish klubit sportive Partizani.

Një ditë më parë, Këshilli i Lartë të Prokurorisë, KLP, reagoi përmes një deklarate, duke shprehur shqetësim për “deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj”.

Duke ofruar “mbështetje pa rezerva për veprimtarinë ligjore të çdo prokurori”, KLP “dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”.

Deklarata e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u mbështet të mërkurën nga ambasada amerikane në Tiranë e cila theksonte më tej se “do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”.

Edhe Delegacioni i Bashkimit europian, ndërsa flet për “deklarata të papranueshme” shprehet se “BE, qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” duke nënvizuar se “sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci”.

Në të njejtën linjë edhe ambasadori britanik Alastair King-Smith, i cili sjell në vëmendje, përmes një deklarate në rrjetet sociale se ka “ripërsëritur mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për SPAK-un dhe përpjekjet e tyre jetike për të përmirësuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit, në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit