Iu gjet kokainë dhe një pistoletë, arrestohet volejbollisti në Shijak

Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Shijak, pasi u kap me kokainë dhe armë zjarri. Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se arrestimi i të riut Eraldo Vora, banues në Sallmone, u bë si rezultat i finalizimit të operacionit të koduar pikërisht me emrin “Sallmone” të Forcave Operacionale dhe strukturave të Narkotikëve në Durrës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Durrës dhe Shijak.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Audi”, me të cilën po qarkullonte Vora, policia gjeti një armë zjarri pistoletë, 1 krehër dhe 10 fishekë.

Ndërsa pas kontrolleve në banesën e tij, Policia gjeti rreth 14 gramë kokainë, 1 peshore elektronike, një shkop metalik dhe sende të tjera të kundërligjshëm. Gjithashtu, në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

SHKARKO APP