Home Ekonomi Jo vetëm Euro...

Jo vetëm Euro, edhe depozitat në USD arritën rekord historik

61
0

Depozitat në Dollarë Amerikanë regjistruan një rritje të fortë në fund të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat në monedhën e gjelbër arritën vlerën e 753 milionë dollarëve, në rritje me 5% krahasuar me muajin nëntor dhe me 10% krahasuar me fundin e vitit 2022.

Këto shifra tregojnë se rritja e fortë e kursimeve në valutë nuk ka prekur vetëm Euron dominuese, por është shtrirë edhe tek Dollari, që është valuta e dytë e huaj më e përdorur brenda ekonomisë dhe sektorit financiar shqiptar.

Pjesa më e madhe e depozitave në Dollarë Amerikanë u takon individëve. Në fund të vitit të kaluar ata zotëronin rreth 61% të totalit të depozitave në valutë. Rritja vjetore e depozitave në dollarë të individëve arriti në 16.4%, nivel ndjeshëm më i lartë se rritja mesatare e depozitave në monedhën amerikane.

Në teori, mund të hipotizohet se rritja e ndjeshme e normave të interesit në dollarë amerikanë gjatë vitit të kaluar mund ta ketë bërë Dollarin më tërheqës për investime financiare. Sipas informacionit të raportuar nga bankat tregtare në Bankën e Shqipërisë, normat e interesit të depozitave në Dollarë Amerikanë në muajin janar të këtij viti arrinin deri në 2.7% për afatet më të gjata të maturimit.

Megjithatë, tregu financiar ofron edhe mundësi të tjera investimi, siç janë fondet e investimit apo pjesëmarrja në investime nëpërmjet platformave të huaja, përfshi këtu instrumentet financiare të tregut të kapitalit ose kriptomonedhat. Në muajt e fundit të vitit të kaluar kriptovaluta kryesore, bitcoin, shënoi një rritje të fortë, duke arritur në më shumë se 47 mijë USD në muajin dhjetor.

Mund të hipotizohet se në një mjedis të tillë disa investitorë mund të kenë përfituar nga rritja e çmimit për të likuiduar kriptoasetet dhe për të riatdhesuar fondet, çka do ta rendiste tregun e kriptomonedhave si një nga faktorët që mund të ketë sjellë rritjen e depozitave në USD.

Një burim tjetër që besohet të ketë arritur nivele të konsiderueshme vitet e fundit janë edhe shërbimet outsourcing nga bizneset apo individë për kompani amerikane ose të vendeve të tjera jashtë BE që përdorin Dollarin si monedhë pagesash ndërkombëtare.

Në segmentin e biznesit, prurjet në USD lidhen kryesisht me eksportet e mallrave të kuotuara në dollar apo eksportet drejt vendeve jashtë Europës.

Ndërkohë, depozitat në Euro shënuan një tjetër rritje të fortë gjatë vitit të kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e depozitave në Euro në fund të dhjetorit arriti në vlerën më të lartë historike prej 7.3 miliardë eurosh.

Megjithëse rritja u ngadalësua ndjeshëm në muajin dhjetor, bilanci i gjithë vitit 2023 rezultoi me një rritje prej 15.6%. Gjatë një viti, depozitat në valutë në sektorin bankar shqiptar u shtuan me 983 milionë euro. Vlerësohet se rritja e depozitave në valutë është e lidhur drejtpërdrejtë me rritjen e flukseve valutore hyrëse në ekonomi, të lidhura veçanërisht me sektorin e turizmit.

Monitor

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Ekonomia

Më shumë nga Ekonomia

Lajmet e Fundit

Te Fundit