Julian Deda për të jatin, aktorin e madh Zef Deda: Ecja e fundit bashkë…!

Nga Julian Deda-

Ecja e fundit bashkë…!

Bab, direkt me mori malli.

Me mori malli për zërin tënd, për batutat e tua, për veprimet e tua, për shikimin tënd, për keshillat e tua, për energjinë tënde, për pozitivitetin tënd, për përqafimin tënd, me mori malli për ty.

Ahh, çfarë babai, çfarë figure, çfarë talenti, çfarë personaliteti, çfarë njeriu! Nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim madheshtinë e këtij njeriu, por dje dhe sot, vertetova se Zef Deda përfundimisht nuk ishte vetëm i familjes tonë, por ishte pjesë e çdo familje shqiptare.

Nuk gjej dot fjalët për të shprehur mirënjohjen ndaj secilit prej jush. Jam i emocionuar për respektin që ju treguat për Zefin si njeri dhe si artist. Faleminderit ju, publik i dashur, për çdo fjalë të mirë, çdo status në rrjete sociale, për çdo foto të shperndarë, çdo sms të dërguar, çdo lot, çdo shtrengim duarsh dhe çdo përqafim, duke shprehur me të gjitha mënyrat respektin për figuren e tij dhe dhimbjen për largimin nga kjo botë. Faleminderit të gjitha televizioneve dhe mediave, për çdo lajm dhe kronikë ku vleresohet kontributi i tij artistik dhe jo vetem, faleminderit personaliteteve politike, sportive, fetare dhe intelektualeve të këtij vendi, që e vleresuan Zef Deden në gjithë dimensionin e tij, faleminderit shqiptarëve që moren rrugen nga çdo cep i vendit dhe jashte tij për të ardhur në Shkodër e për të na lehtesuar dhimbjen.

Mirënjohje!

Babush, unë besoj se ti ke parë gjithçka që ndodhi dje dhe sot, e pe respektin e një populli të tërë për ty, jam i bindur se ishe aty; ta di tipin, nuk iken kollaj ti, madje nuk iken kurrë.

Ti, z. Unik, je i përjetshem, sepse njerëzit vdesin kur harrohen dhe ti s’ke për tu harruar në jetë të jetëve.

Zemra ime, nuk e ke idenë sa të dua. Por pa merak, do flasim çdo natë, do me pyesesh për tekstin e javes dhe unë do raportoj si studenti yt i përjetshem, pastaj do dalim dhe do ecim, krah për krah, si gjithmonë..!

Nder i madh të jem yt bir!

SHKARKO APP