Home Aktualitet Kadastra e Du...

Kadastra e Durrësit zhvendoset në Tiranë, dosjet dhe regjistrat hipotekorë sillen në kryeqytet

195
0

Kadastra e Durrësit është zhvendosur në Prezë të Tiranës, së bashku me agjencitë e Tiranës, Krujës dhe Kavajës.

Të njëjtin fat për t’u vendosur në të njëjtën godinë të Tirana Business Park bëhet e ditur se do të kenë dhe Kadastrat e Lezhës dhe Vlorës. Personeli i tyre duhet të udhëtojë çdo ditë drejt ambienteve të reja për të kryer detyrën, ndërsa shërbimet për qytetarët janë larguar nga zonat e tyre të banimit, apo ku kanë pronën duke vështirësuar qoftë dhe marrjen e vërtetimeve të thjeshta që dëshmojnë nëse ke ose jo një pronë në territorin që mbulon drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

E kthyer prej vitesh në një institucion problematik për shkaqe të ndryshme në marrëdhënie me qytetarët, kalvari i atyre që kanë në proces çështjet e pronave të tyre pëson një tjetër goditje me këtë largim të shërbimeve kadastrale nga Durrësi, duke shtuar vonesat dhe sorollatjet në marrjen e shërbimeve të ndryshme që ofron kjo agjenci, që nga vërtetimet, certifikatat e pronësisë, planet e rivelimit, kopjet e kartelave të pasurisë së paluajtshme, apo konsultimit me to, fragmentimit të hartës kadastrale dhe një sërë shërbimesh të tjera të nevojshme për qytetarin në raport me pronën e vet apo çështjet e pronësisë që ka.

Së fundmi, është bërë dhe transferimi i arkivave me dosjet dhe regjistrat hipotekore të Kadastrës së Durrësit. Magazinimi i tyre dhe sistemimi që pritet të bëhet në periudhën në vazhdim, siç duket dhe në pamje, dëshmon se aplikimet e qytetarëve për dokumente që i referohen arkivës së Kadastrës do të duhet të presin vjeshtën e vonë.

Kadastra e Durrësit ishte e vendosur në pronën e saj pranë një qendre tregtare, në lagjen 4 të qytetit, të ndërtuar në ish-ambientet e Fermentimit të duhanit , ndërsa është zhvendosur në ambiente me qira, në bazë të një vendimi të Bordit Drejtues të ASHK-së.

Në shkresën e drejtorit Artan Lame, dy drejtueset vendore të ASHK-së Durrës dhe Krujë, përkatësisht Viola Hima dhe Rajmonda Dashi, autorizohen dhe u kërkohet që të nënshkruajnë dhe zbatojnë kontratat përkatëse me TBP, pasi Drejtoria e Përgjithshme ka zhvilluar më parë procedurën për marrjen e ambienteve me qira për sistemimin e burimeve njerëzore dhe materialeve të këtyre dy drejtorive në godinën që ndodhen në rrugën e Rinasit.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit