Kolegji i Europës ngjall interesim të madh, dhjetëra aplikime në Kampusin e Tiranës

Kolegji i Europës ka ngjallur brenda pak javësh një interesim të madh me Kampusin e Tiranës, i cili u përurua në mesin e tetorit të kaluar. Administratorë të projektit pohojnë për Zërin e Amerikës se deri tani kanë aplikuar dhjetëra studentë për master në integrim dhe transformim europian, dhe deri në mes të janarit mund të mbërrijnë edhe shumë aplikime të tjera.

Kampusi i Tiranës është i dyti pas atij të Varshavës, qysh nga themelimi i Kolegjit të Europës në mesin e shekullit të kaluar, i cili u ngrit për fuqizimin e projektit të Bashkimit Europian. Vetëm 7 javë nga përurimi i kampusit të Tiranës i Kolegjit të Europian aplikimet e dhjetëra e dhjetëra studentëve nga rajoni dhe kontinetit janë qysh tani disafish më të larta se projekti fillestar.

Organizatorët vlerësojnë se projekti është sfidues dhe shpresojnë ta bëjnë atë të suksesshëm. Ata theksuan se hapja e një kampusi në Tiranë është një ogur i mirë për potencialin e Shqipërisë në rajon dhe jo vetëm. Projekti është financuar nga Bashkimi Europian përmes një granti, e ndërkohë po bisedohet për një numër të konsiderueshëm bursash nga burime të tjera, që do të mbulojnë një numër të madh studentësh. Aktualisht po kryhet faza përgatitore e vlerësimit, para se të vijë faza e dytë, hapja e programit master.

Koordinatori administrativ i projektit për hapjen e kampusit të Tiranës të Kolegjit të Europës, Boiken Sinaj, thotë se kampusi i Tiranës mund të japë ndihmesën e vet në dy kahje, si nga BE-ja ashtu edhe nga vendet që synojnë anëtarësimin. “Viti i parë do të ketë vetëm një program masteri. Synojmë të kemi 31 studentë, të cilët do të jenë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe të Europës në përgjithësi, por jo vetëm. Ata do të bashkohen nën moton e Kolegjit të Europës. Bashkëjetesa me njëri tjetrin, njohja reciproke është një ndër objektivat madhore të kampusit të Tiranës”, thotë zoti Sinaj.

Pranimi i aplikimeve u hap me një ceremoni më 15 tetor, një ditë para Samitit të procesit të Berlnit, ku mori pjesë edhe presidentja Von Der Liene, kryeministri Rama dhe rektorja Mogherini. Edhe pse aplikimet janë deri tani shumë herë më të larta se sa projekti, kjo nuk është arsye që të dekurajohen aplikime të tjera, sepse përzgjedhja e aplikanëtve nis kur të mbyllen regjistrimet.

Aplikimet mund të jenë nga gjithë Europa, Shqipëria e Ballkani po ashtu, pohojnë organizatorët. Procesi i regjistrimit po ecën me ritme shumë të kënaqshme, do të mbyllet më 16 janar, ndaj deri atëherë janë ftuar të aplikojnë kushdo që plotësohen disa kërkesa që lidhen me njohjen e anglishtes dhe frëngjishtes, si dhe kredite e vlerësime universitare për studimin e politikave të jashtme dhe ato europiane.

Fillimisht dy vitet e para do të jetë një zgidhje e përkohshme Kampusi do të jetë i shtrirë në gjithë qytetin, kryesisht pranë Qytetit Studenti, ku do të jetë edhe salla e leksioneve, biblioteka dhe fjetina, ndërsa në qendër të Tiranës është zyra e përfaqësimit të kampusit të Tiranës.

“Ky është një projekt pilot në fazën fillestare, i cili ka vetëm një program master i përparuar për integrim dhe transformim europian. Simbolika është e fortë, sepse synohet që studentët të marrin njohuri të thelluara mbi politikat e zgjerimit europian, si dhe të përgatiten kuadrot e reja për këtë përafrim, si dhe me synimi ambicioz, që është transformimi i brendshëm i Bashkimit Europian”, thotë zoti Sinaj.

Kolegji i Europës është një entitet që prej shumë kohësh jep ndihmesën e vet në fuqizimin e idealit europian, ndërkohë që aktualisht brenda vet BE-së procesi i zgjerimit është ngadalësuar dhe pritet të ndodhë një reformë tërësore e politikave të tij, ku përfshihen edhe mënyrat e vendimmarrjes. Kampusi i Tiranës i Kolegjit Europian pritet të hapë dyert për studentët në shtator të vitit të ardhshëm, si dhe të ketë një rol të rëndësishëm lidhur me vendet kandidate për në BE. Për suksesin e tij pritet edhe pjesëmarrja dhe mbështetja e shoqërisë civile dhe qarqeve të biznesit.

Kolegji i Europës është një institucion pasuniversitar, i pari në studimet europiane, i themeluar në vitin 1949, pas Kongresit të Hagës nga disa prej etërve të Bashkimit Europian si Winston Churchill, Salvador de Madriaga, Alcide de Gasperi, dhe Henry Spak. Qëllimi ishte që të ngrihej dhe të çohej përpara projekti europian.

Në vitin 1992 Kolegji u zgjerua duke hapur kampusin e Varshavës i cili ka ndikuar për zgjerimin e Bashkimit Europian në Europën lindore. Kampusi i Tiranës është adresa e tretë e Kolegjit të Europës. Tirana u zgjodh për frymën proeuropiane të Shqipërisë, pohojnë koordinatorët, prej mikpritjes së shqiptarëve, për rritjen e aeroportit dhe për bashkëpunimin rajonal të saj. /VOA/

SHKARKO APP