Kryebashkiaku i Vlorës nuk tutet nga PS

Kryebashkiaku i Vlorës pas konflikteve të hapura me kryeministrin dhe Këshillin Bashkiak, ka sqaruar me një status sot se pse e kanë gabim këshilltarët e PS. Tre ditë më parë kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama e përjashtoi nga PS, Dritan Lelin.

Sot kryebashkiaku shkruan: “I kisha kërkuar Këshillit Bashkiak që ta zhvillonim sot mbledhjen e radhës, atë që u pezullua po prej këshillit, megjithëse e planifikuar prej tij, dhe u shty pa rënë dakord, për në datën 30. 06. 2021.

E gjithë kjo, shpalos një situatë jo normale dhe jashtë funksionit të këshillit të bashkisë, megjithatë, për shkak të një axhende të programuar kohë më parë, nuk e kam të mundur të jem pjesë, siç i njoftova!

Do doja të isha i pranishëm, duke i qëndruar të gjitha pikave që kërkohen, siç do doja që kjo mbledhje të ishte zhvilluar më parë, në datën e paracaktuar, për të mos zvarritur jo vetëm nevojat ekonomike të familjeve e fëmijëve në nevojë, por edhe për të proceduar me pompat e ujit që ndërkohë mund të ishin blerë dhe komunitet e Vlorës, Nartës e Zvërnecit, t’iu ishin afruar zgjidhjeve që kërkojnë.
Personalisht, nuk e kam kuptuar ende arsyen e këmbënguljes së vazhdueshme për të krijuar mizanskena në teatër, kur gjithçka ka funksionuar më së miri, siç të gjithë e dini, online.

Forma mund të jetë e rëndësishme për të krijuar karaktere e realitete imagjinare, por në atë që ne bëjmë dhe duam të arrijmë, vendndodhja nuk ka pasur asnjëherë rëndësinë e përmbajtjes!

Sidoqoftë, u përpoqa dhe shpresova se do ta realizonim mbledhjen e sotshme, në pamundësi për ta kryer gjatë ditëve në vazhdim.

Promovimi dhe zhvillimi i Vlorës, bashkë me programet e qeverisë, në të gjitha sferat ku mund të afrohet me zhvillimin e vendeve të rajonit, është programi im i çdo dite. Uroj që të kemi të njëjtin qëllim sepse nuk ka rrugë tjetër për të ndihmuar qytetin!”, shkruan Leli.

Pak ditë më parë PS dhe kryeministri i kërkuan të jap dorëheqjen nga kryetar i Bashkisë së Vlorës, por duket se Leli as që e përfill atë që tha Kryeministri.

SHKARKO APP