Kur mbyllet shtëpia e gjyshërve…

Nga Herion Mesi-
KUR MBYLLET SHTËPIA E GJYSHËRVE!
Një nga momentet më të trishtuara të jetës sonë është kur dera e shtëpisë së gjyshërve mbyllet përgjithmonë. Pasi ajo derë të mbyllet nuk do të ketë më pasdite të lumtura me xhaxhallarët, kushërinjtë, nipërit, prindërit, vëllezërit dhe motrat. Ju kujtohet? Nuk ishte e nevojshme të shkoje në restorant gjatë pushimeve. Ne shkonim te shtëpia e gjyshërve. Edhe për festat e fundvitit. Lista e gjërave për t’u bërë ishte shumë e gjatë dhe ishte e shtruar në dhomën më të madhe. Tani shtëpia është e mbyllur dhe ka mbetur vetëm pluhuri. Por ti e di se sa vlen shtëpia e gjyshërve. Ajo nuk ka çmim. Sidomos ato dritaret e mëdha të veshura me çentro dhe me parmak të gjerë sa mjaftonte që të dystoheshe dhe të shikoje kalanë në profil, apo kur të ndodhte që shiu niste dhe ti buzëqeshje teksa ndiheshe sikur po qaje… Kur mbyllet shtëpia e gjyshërve, ne e gjejmë veten të rritur pa e kuptuar kur pushuam së qeni fëmijë. Sigurisht, për gjyshërit ne do të jemi gjithmonë të vegjël dhe të pambrojtur. Gjithë kohës. Gjyshërit gjithmonë kishin kafe gati. Karamelet, por ajo që doja më shumë ishte ai kapaku i tenxheres që gjyshja e kthente si tabaka dhe vendoste sipër feta buke me sheqer te lagura nga vaji… Apo gjyshit që nuk i shqitej buzëqeshja sapo të shikonte nga larg. Me ato krahët e dobët që mundohej të të shtrëngonte fort, a thua se po përpiqej të ngjiste një diçka që i ishte shkëputur nga trupi i tij. Pastaj gjithçka përfundon. Nuk ka më këngë. As gëzime ….. Ikët shumë shpejt dreqi e mori. Unë ende dua të mbush ujë me ibrikët e mëdhenj te çezma sipër shtëpisë, të shëtis në kërkim të lumturisë që vinte nga rrëshqitja tek kodra me dheun e zi, aty ku dhe pantallonat griseshin pa pasur asnjë mundësi riparimi. Falëminderit që më mësuat të jem i lumtur. Dhe falëminderit për mësimet mbi jetën. Tani jam i bindur kur të kaloj tek shtëpia, do mësohem me zakonin e parkimit. Edhe për t’i rënë derës. Sepse ajo portë nuk do të hapet më me zërin e gjyshes që të bërtet nga lart kur ti ishe ende në hyrje të rrugicës. Më fal gjyshe! Unë tani do t’i bie kambanës që ajo portë të hapet. Më së shumti kur të më ndodhë sërish të mendoj përsëri për ju, si tani, do të këndoj një këngë. Atë të preferuarën e gjyshit. Edhe pse nuk e di se cila është, unë do ta gjej këngën Tuaj!

SHKARKO APP