Lesi: Beteja Basha-Berisha do përfundojë te militantët që do zaptojnë me forcë selinë blu

Te emisioni i Ylli Rakipit ishte ftuar edhe Nikoll Lesi. Botuesi i “Koha Jonë”, Nikoll Lesi ka folur për luftën Basha-Berisha në PD dhe çfarë pritet të ndodhë me këtë parti.

Sipas tij, mes palëve do të ketë përplasje të fortë dhe mbështetësit e Berishës, mund të shkojnë deri aty sa të rrethojnë selinë.

“Po të isha në rolin e Bashës do të kisha dhënë dorëheqjen. Basha erdhi në politikë nga familja Berisha, u bë deputet dhe ministër, i’u dhurua Bashkia e Tiranës dhe pastaj i’u dha partia. Por nuk mund të them se Saliu nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes në PD pasi ai e solli kryetar. Nuk besoj se Basha nuk ka bashkërenduar me të, deri në momentin që e detyruan Lulin ti fusë thikën ish-liderit të tij.

Berisha nuk do të tërhiqet. Berisha ka shumicën e bazës së demokratëve me sa shikohet. Por Basha ka vulën e partisë, këshillin kombëtar, grupin e deputetëve, amerikanët, qeverinë.

Çështje do të shkojë tek firmat që do të mbledhë Berisha, por nuk do t’ja njohë njeri dhe çështja do të shkojë në gjykatë. Gjykata do jetë me Bashën. Pastaj do të shkojnë demokratët e Berishës në selinë e PD-së e nga “Rama ik”, do të kërkojnë “Basha ik”.

Nuk kemi një opozitë solide. Mendova se me 59 deputetë të PD-së dhe 4 të LSI-së, do të ishte forcë opozitare serioze përballë qeverisë. Në vend që të bashkoheshin, u shkatërruan. Eshtë tragjike për opozitën dhe për shqiptarët.

E gjithë kjo çon ujë në mullirin e Edi Ramës.

Si përfundim mund të them se këtu do të jemi kur të rrethojnë selinë demokratët e Saliut, do hyjnë brenda oborrit të PD-së. Luli do ikë nga pas godinës. Do të jetë skenar tragji-komik”, tha ndër të tjera Lesi.

“Eshtë tragjike që nuk kemi opozitë të fortë, të besueshme që ti bëjë sfidë qeverisë. Një shoqeri pa opozitë mbetet e rrezikuar”- tha Lesi.

SHKARKO APP