Home Aktualitet Liderët e BE-...

Liderët e BE-së dënojnë sulmin në Banjskë: Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet

23
0

Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian e kanë dënuar “ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës”, që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator. “Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht, dhe t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, është thënë në konkluzionet e miratuara në fund të samitit.

Në fund të takimit dyditor, të mbajtur në Bruksel, liderët e BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për ulje të tensioneve, dhe të sigurojnë mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës. “Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja”, është thënë mes tjerash në konkluzione.

Presidentët dhe kryeministrat evropianë kanë shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes së arritur në shkurt mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve. BE-ja ka bërë thirrje që dy vendet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet paraprake, pa vonesa dhe pa parakushte, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet në dokumente.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Takimet e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët. Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti serb Vuçiq këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor. “Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.

Sipas tij, kjo “mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë për të përparuar në rrugën evropiane”. “Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje. Por sot, për fat të keq, nuk ishte e mundur”, tha kryediplomati evropian.

Scholz: Dy vendet kanë gatishmëri për zbatim të marrëveshjeve

Mirëpo, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dakorduara. Ai e ka vlerësuar këtë hap si “të rëndësishëm dhe në drejtim të duhur”. “Tani do të monitorojmë nga afër nëse kjo do të ndodhë vërtet”, ka thënë Scholz. “Dy vendet duan të anëtarësohen në BE. Ata duhet të bëhen fqinjët më të mirë. Kjo është një gjë që ka sukses më së miri kur ata që janë në krye, pra krerët e qeverive apo vetë krerët e shteteve, sigurohen që kjo të ndodhë”, ka thënë mes tjerash Scholz

Macron kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se pret nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet. “Ne po kërkojmë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit (për normalizim të marrëdhënieve), marrëveshjes së Ohrit si dhe zbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ka thënë presidenti francez në fund të takimit. Ai e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe ka thënë se pret nga presidenti Vuçiq, që ta dënojë, po ashtu, atë akt dhe të merren masa pas hetimeve.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit