Manastirliu mbështet KLP-në: Vaksinimi për punonjësit që janë në kontakt me qytetarët

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur procesin e vaksinimit në qendrën e vaksinimit të përqendruar në ”Air Albania”, nga ku u shpreh se ritmi është i lartë, por synohet të rritet me tej, me vaksinimin e kombinuar, si pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv.

“Kemi kryer më shumë se 900 mijë vaksinime. Ritmi është goxha i mire, por kemi mundësi akoma më shumë për të rritur këtë ritëm, në mënyrë që të arrijmë një mbulesë vaksinale sa më të lartë. Plani i kombinuar i vaksinimit është duke vazhduar edhe me institucionet kritike si OSHEE, të transportit, ujësjellësit si dhe institucione të cilat kanë kontakte direkte me qytetarët, siç janë bashkitë, siç është qendra e shërbimeve ADISA dhe institucione të tjera të cilat janë përfshirë në planin tonë të vaksinimit”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën e epidemisë në vend, Ministrja e Shëndetësisë bëri apel për vigjilencë dhe theksoi se do të intensifikohet programi i vaksinimit. “Pavarësisht se jemi në një situatë shumë të kontrolluar të epidemisë në vend, kjo nuk do të thotë se duhet të ulim vigjilencën, e aq më pak, ritmin e vaksinimit”, tha Manastirliu. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 901,429 doza të vaksinës ndaj Covid-19. Prej tyre 375,629 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID. Aktualisht është hapur fasha e vaksinimit për qytetarët +50 vjeç, ndërsa vijon vaksinimi i kombinuar edhe me grupet e riskut. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkoi dje ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vaksinimin e prokurorëve, OPGJ-ve dhe stafit administrativ të Prokurorive. Në letrën që KLP-ja i ka dërguar ministres, thuhet se në total janë 928 persona. Po ashtu në letrën që mban firmën e kreut të këtij institucioni, Gent Ibrahimi thuhet se prokurorët janë shumë të rrezikuar përballë këtij virusi, për këtë arsye duhet të vaksinohen, pasi puna e tyre nuk mund të bëhet online

“Në emër të KLP-së, kryetari Gent Ibrahimi i dërgoi dje Ogerta Manastirliut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kërkesën për përfshirjen e prokurorëve, anëtarëve të Këshillit, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafin administrativ, në listën prioritare për vaksinim. Në total grupi i sipërpërmëndur konsiston në 928 persona. Në vijim mund të gjeni shkresën zyrtare”.

SHKARKO APP