Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët po merret si shembull edhe nga vende të tjera

Marrëveshja për migrantët me Shqipërinë po merret si shembull, deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, sipas rainews.it.

“Kënaqësia më e madhe vjen nga marrëveshja me Shqipërinë, për të menaxhuar atje një pjesë të migrantëve të paligjshëm, të cilët dëshirojnë të mbërrijnë në Itali”, tha Meloni.

”Kur e shpallëm, shumë njerëz bërtisnin për skandalin dhe shkeljen e shtetit ligjor, për qeverinë fashiste dhe raciste. E pra, pak ditë më parë, 15 vende evropiane nga 27 kanë nënshkruar një apel drejtuar Komisionit të BE-së, ku ndër të tjera shkruhet se BE duhet të ndjekë modelin italian të marrëveshjes me Shqipërinë”, theksoi ajo.

”Me gjithë respektin e duhur për të majtën vendase dhe përpjekjet e saj për të penguar çdo përgjigje ndaj emigracionit të paligjshëm, Italia po udhëheq rrugën drejt emigracionit”, shtoi Meloni.

Pavarësisht propagandës së Partisë Demokratike, e cila po përdor marrëveshjen Itali-Shqipëri, me lajmet e rreme, për të mbështetur fushatën elektorale në kuadër të zgjedhjeve europiane, qeveria po ecën përpara me zbatimin e planit të hartuar mes Melonit dhe Ramës, që parashikon krijimin e dy qendrave të ndalimit të përkohshëm në territorin shqiptar për procedurat kufitare apo riatdhesimin e migrantëve, sipas ilgiornale.it.

”Letra thotë fjalë për fjalë se duhet të ndërtojmë modele si ato të protokollit mes Italisë dhe Shqipërisë. Me pak fjalë, me gjithë respektin për të majtën vendase dhe përpjekjet e saj për të prishur çdo përgjigje në frontin e emigracionit të paligjshëm, Italia është në krye të çështjes së migracionit”, përfundon Meloni./ a.jor. ATSH

SHKARKO APP