Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” rapsodin e njohur Viktor Paloka “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributeve të çmuara si njëri prej rapsodëve të njohur të këngës popullore, udhëheqës dhe organizator i veprimtarive të shumta dhe autor tekstesh këngësh. Me mirënjohje ndaj veprës së tij artistike, që e bëri të spikasë në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore jo materiale, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke lartësuar vlerat e rralla të artit popullor shqiptar”.
Duke iu drejtuar të familjarëve dhe artistëve të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti Meta vuri në dukje trashëgimia kulturore duhet ruajtur dhe promovuar.
“Trevat tona shqiptare dallohen për trashëgimi shumë të pasur kulturore, që dëshmojnë lashtësinë, madhështinë dhe vlerat e popullit tonë: trashëgiminë materiale, me objekte, monumente, vepra, objekte arti e artekrafte të shumta të trashëguara ndër shekuj, por dhe trashëgiminë jo materiale, me folklorin, traditat, gjuhën, shprehjet, njohuritë tradicionale e krijimtarinë popullore, të përcjella brez pas brezi.
Kjo trashëgimi kulturore është mbartëse e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë kombëtar dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme shkencore e kulturore, për ne dhe për brezat që do të vijnë.
Elemente të tillë të identitetit si: gjuha, kultura, traditat, zakonet, veshjet, mbajnë gjallë kombet ndër shekuj.
Prandaj, është thelbësore ruajtja e këtyre elementëve, që na bëjnë të themi me krenari që jemi shqiptarë dhe për të cilat, shumë patriotë shqiptarë kanë dhënë jetën”,- deklaroi kreu i shtetit.
Presidenti shtoi se nderimi për rapsodin e shquar Viktor Paloka, është nderim dhe mirënjohje për të gjithë kontribuesit e shquar të folklorit tonë, qofshin krijues apo interpretues të tij.
Discussion about this post