Ministrja Krifca në Lushnje: Ky është viti i bujqësisë, janë 500 milionë dollarë eksporte

“Ky do të jetë viti i bujqësisë, në drejtim të mbështetjes së shtuar ndaj fermerëve dhe rezultateve pozitive që regjistron ky sektor”, –tha ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në Panairin Ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2023” në Lushnjë.

“Tremujori i parë i vitit është mbyllur me një shifër rekord në rritje krahasuar me vitin e kaluar, ku patëm 500 milionë dollarë eksporte bujqësore. Ky tremujor është rritur me 7,6 % në sasi dhe mbi 18 % në vlerë”, tha Krifca.

Në fund të kësaj pranvere ministrja bëri të ditur se, agro përpunuesit do të kenë mundësi të aplikojnë në programin IPARD III, i cili do të injektojë 146 milionë euro në bujqësinë shqiptare, me qëllimin e vetëm që fermeri ynë të rrisë sasinë dhe cilësinë e prodhimeve “Made in Albania”.

“I kemi kërkuar Komisionit Evropian që pjesë e programit IPARD III të mund të përfshihet dhe ndërtimi i infrastrukturës, i ambienteve të grumbullimit, të pikave të grumbullimit apo siloseve për grurin dhe misrin. Kemi marrë prej tyre miratimin, në mënyrë që subjektet private, apo investitorë të ndryshëm të mund të investojnë për këtë nevojë që tregu aktualisht ka, meqenëse nuk e kemi këtë lloj infrastrukture, pra dëgjojmë njëri-tjetrin dhe adresojmë problematikat për t’i dhënë zgjidhje”, u shpreh ministrja.

SHKARKO APP