Home Aktualitet Ministrja Kri...

Ministrja Krifca në Romë: Bashkëpunim dhe marka të përbashkëta me Italinë

56
0

“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë sot është në maksimumin që ka qenë ndonjëherë, teksa synojmë të ardhmen me produkte të përbashkëta dhe etiketa të përbashkëta: “Made in Albania” dhe “Made in Italy”,-tha ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e cila me ftesë të ministrit italian të Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, mori pjesë në Asamblenë e Koalicionit të Tregjeve të Vogla për Fermerët, që po zhvillohet në Romë.

Ministrja vuri në dukje se “Italia është është partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, me një vëllim shkëmbimesh mbi 4 miliardë euro në vitin 2022, ku mbi 10 % e volumit tregtar i përket mallrave bujqësore”. Krifca tha se “vitet e fundit ne kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të jashtëzakonshme të partneriteteve midis kompanive tona dhe ndërmarrjeve italiane që operojnë në industrinë ushqimore”.

Ministrja Krifca u ndal në përparësinë e agjendës së bashkëpunimit me Italinë, për më shumë sipërmarrje të përbashkëta, që kombinojnë avantazhet krahasuese nga të dy brigjet e Adriatikut. “Ajo që shoh në të ardhmen është bashkëpunimi dhe markat gjithnjë e më shumë të përbashkëta. Shoh produkte të përbashkëta dhe pse jo, etiketa të përbashkëta: “Made in Albania” dhe “Made in Italy”, tha Krifca.

Ministrja Krifca vuri në dukje se bashkëpunimi me Italinë nis në ndërtimin e një zinxhiri vlerash, që fillon me të korrat dhe përfundon me përsosmërinë e produkteve italo-shqiptare që mund të jenë konkurruese përtej kufijve tanë. Sipas saj, vlera e shtuar e këtij bashkëpunimi duhet të qëndrojë pikërisht në kombinimin e avantazheve të dy vendeve dhe promovimin të produkteve finale.

“Një dekadë më parë eksportet tona arrinin mesatarisht 100 milionë euro. Vitin e kaluar kemi eksportuar me sukses mbi 500 milionë euro produkte bujqësore. Rritja e jashtëzakonshme e ekonomisë shqiptare në përgjithësi dhe e sektorit bujqësor në veçanti i detyrohet shumë faktorëve të tilla si skema e subvencionimit nga buxheti i shtetit, si dhe programi IPARD i financuar nga qeveria shqiptare dhe nga Bashkimi Europian, që fuqizon drejtpërdrejt fermerët dhe eksportuesit e suksesshëm”, nënvizoi Krifca.

Ne, vijoi Krifca, kemi lehtësuar gjithashtu procesin e mekanizimit duke eliminuar të gjitha taksat për shumicën e makinerive të importuara dhe mjetet e transportit. Ministrja Krifca deklaroi se “për të arritur objektivin tonë prej 1 miliard euro eksporte brenda vitit 2030, nuk mund të anashkalojmë asnjë mundësi për t’u rritur dhe për të bashkëpunuar”. Pjesëmarrja e ministres Krifca në Asamblenë Ndërkombëtare të Tregjeve të Fermerëve ka ardhur si ftesë e ministrit italian të Bujqësisë, Francesco Lollobrigida.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit