Ministrja Manastirliu: Së shpejti do kemi një kontratë të re me kompaninë Pfizer

Së shpejti Shqipëria do të nënshkruajë një kontratë të re me kompaninë Pfizer për të marrë 500 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit deri në fund të vitit.

Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila po zhvillon punimet në Kopenhagen të Danimarkës duke drejtuar seancën e 71-të të Komitetit Rajonal për Europën të OBSH-së.

 “Qasja e barabartë në aksesin ndaj vaksinave dhe strategjia e vaksinimit 2020-2030, e cila përmbledh nevojat që duhet të adresojnë të gjitha vendet përsa i përket mbulesës vaksinale, janë në fokus të takimit mes 53 vendeve anëtare të OBSH për Rajonin Europian. Jam e kënaqur të them se jemi duke negociuar dhe përfundojmë se shpejti një kontratë tjetër me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza vaksine, të cilat do të mbërrijnë në 3-mujorin e fundit të këtij viti dhe natyrisht do të vijojmë të kemi një qasje proaktive për të rritur mbulesën vaksinale tek grupet e riskut, sidomos tek punonjësit shëndetësor, tek mësuesit dhe gjithashtu të gjithë punonjësit e shërbimeve në administratën publike”, bëri me dije Manastirliu.

Në takimin e nivelit të lartë që po mbahet në Kopenhagen, po vihet theksi nga të gjithë ekspertët, për të rivlerësuar arkitekturën e sistemeve shëndetësore, me mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19.

“Në këtë takim që ne drejtojmë në cilësinë e drejtueses së këtij sesioni të rëndësishëm të Komitetit Rajonal për Europën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, po vihet theksi me të gjithë ekspertët e fushave, se si do të rivlerësohet arkitektura e sistemit shëndetësor dhe se si do të vlerësohet dhe do të mbështetet sistemi shëndetësor në raport me kujdesin parësor, në raport me programin e vaksinimit dhe gjithashtu edhe me mbështetjen ndaj financimit të qëndrueshëm drejt mbulimit shëndetësor universal”, tha Manastirliu.

Drejtues të shteteve dhe ministra të shëndetësisë së 53 vendeve, drejtori i OBSH dr. Tedros Adhanom, drejtori i OBSH për Europën dr. Hans Kluge, me pjesëmarrjen e veçantë të Princeshës së Kurorës së Danimarkës dhe ekspertëve më të njohur botëror, dr. Fauci, prof. Monti, po diskutohet për mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, për të ridimensionuar qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, nën dritën e pandemisë.

Ridimensionimi i kujdesit parësor, investimi për adresimin e problemeve të shëndetit mendor, Agjenda Europiane e Imunizimit 2030 dhe zbutja e pabarazive për aksesin në vaksina, janë në fokus të diskutimeve që po zhvillohen në Kopenhagen, në takimin më të rëndësishëm vjetor të Shëndetësisë për Europën, i cili zhvillon punimet nga datat 13-15 Shtator.

Është hera e parë që Shqipëria ka marrë drejtimin e Sesionit 71-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën, si vlerësim dhe njohje e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për menaxhimin e situatës së pandemisë.

SHKARKO APP